ALTITUDINI – Italian Routes nga Fabiano Ventura / Albanian Skylines nga Fation Plaku titullohet ekspozita e hapur së fundmi në Hapësirën e Ekspozimit Harabel. Ekspozita ka një ndarje prej dhjetë grupime malesh, prej të cilave: Monte Bianco, Monte Rosa, Adamello dhe Dolomitet i përkasin territoreve italiane, ndërsa Himalaja, Alaska, Andet, Karakorum dhe Kaukazi janë pjesë e maleve botërore, duke u përmbyllur me një hapësirë të dedikuar maleve të Shqipërisë realizuar nga Fation Plaku. Kjo ekspozitë e kuruar nga Fabiano Ventura qe iniciativë e Insitutit Italian të Kulturës, e organizuar prej Platformës Bashkëkohore HARABEL dhe do të mbahet e hapur për vizitorët përgjatë periudhës 19 dhjetor – 20 janar 2023.

...

Projekti Në gjurmët e akullnajave është një projekt fotografiko-shkencor, i cili ndërthur krahasimin fotografik dhe kërkimin shkencor, me qëllim përhapjen e informacionit mbi efektet e ndryshimeve klimatike, duke vëzhguar ndryshimet në masat akullnajore gjatë 150 viteve të fundit. Në 10 vjet, me 6 ekspedita në akullnajat malore më të rëndësishme të Tokës (Karakorum 2009, Kaukazi 2011, Alaska 2013, Andet 2016, Himalaja 2018, Alpe 2020), projekti synon të mbështesë studimet origjinale dhe të realizojë fotografi të reja nga të njëjtat pika vëzhgimi, dhe në të njëjtën periudhë të vitit me ato të realizuara nga fotografë-eksplorues në fundin e viteve ‘800 dhe fillimin e viteve ‘900.

 

Qëllimi i ekspozitës është t’i komunikojë një audience ndërkombëtare, traditën e madhe italiane lidhur me kulturën malore dhe alpinizmin, si instrument i njohjes së territorit malor, vlerat e të cilit mbarten nga mjedisi, rëndësinë e ndërgjegjësimit mjedisor në praktikat e qasjes me habitatet natyrore dhe vëmendjen që Italia i kushton mbrojtjes së ekosistemeve.

 

Në hapësirën e katit të parë ekspozohen Malet Italiane (Montagne Italiane) në të cilin pasqyrohet  një rrugëtim ideal që eksploron Alpet nga perëndimi në lindje, duke kaluar masivët e Monte Blanco, Monte Rosa e Cervino dhe Adamello, për t’u zhvendosur më pas në zonën lindore për të arritur tek Dolomitet. Secili nga katër grupet malore përfaqësohet/shfaqet nga fotografi me format të madh, të cilat nxjerrin në pah aspektet ndjellëse të peizazhit, si dhe nga imazhe historike e bashkëkohore, të cilat fokusohen tek evolucioni i masave akullnajore, duke theksuar efektet e ndryshimeve klimatike tek peizazhi malor. Çdo grup shoqërohet nga një panel prezantues, që ilustron karakteristikat e tij gjeografike, historike dhe gjeo-glaciologjike, të cilit i shtohet edhe propozimi i një itinerari vizitash.

 

Seksioni i dytë, Një vështrim mbi botën, vijon në katin e parë duke shtrirë perspektivën në vargmalet më të rëndësishme të Tokës, duke nënvizuar vazhdimësinë e kulturës së alpinizmit në nivel global. Bukuria, ndërgjegjësimi, respekti për mjedisin, janë temat kryesore që kultura malore ka zhvilluar duke filluar nga Alpet, për t’i shtrirë ato me kalimin e viteve në eksplorime botërore. Duke ripërshkuar fazat e projektit Në gjurmët e akullnajave ekspozohen: Karakorum 2009, Kaukazi 2011, Alaska 2013, Ande 2016, Himalaja 2018, në të cilin ky seksion ofron një imazh përfaqësues të secilit varg malor, shoqëruar nga dy krahasime fotografike mbi variacionet e masave akullnajore.

 

Në përmbyllje, një hapësirë i është dedikuar maleve të Shqipërisë të fotografuara nga fotografi dhe alpinisti Fation Plaku. Fotografitë e shfaqura janë realizuar në kuadër të projektit Mëmëdheu (Homeland) – Thesaret e fshehta të Shqipërisë (Albania’s hidden gems), për të cilin janë botuar dy albume me fotografi me peizazhe natyrore nga më të bukurat në të cilat pasqyrohen: Maja e Jezercës (2694 m), Maja e Këndrevicës (2121 m), Mali i Çikës (2045 m), Mali i Korabit (2764 m), Mali i Nemërçkës (2482 m), Mali i Gjallicës (2489 m), Mali i Lunxhërisë (2155 m).

 

Ky projekt përfaqëson arkivin më të madh ekzistues të fotografisë krahasuese mbi ndryshimet në masat akullnajore, i ideuar dhe realizuar nga fotografi Fabiano Ventura në bashkëpunim me një staf tekniko-krijues dhe i mbështetur nga një Komitet Shkencor Ndërkombëtar.

 

Fabiano Ventura është peizazhist i specializuar në çështjet mjedisore. Ai ka marrë pjesë në ekspedita të shumta ndërkombëtare shkencore, fotografie dhe alpine. Që prej vitit 2007 Fabiano Ventura krijoi dhe drejton projektin “Në Gjurmët e Akullnajave”. Ndjeshmëria ndaj problemit në rritje të ndryshimeve klimatike, e ka bërë atë të përqendrojë një pjesë të madhe të aktivitetit të tij në përhapjen e njohurive mbi këtë fenomen tek publiku i gjerë. Me një ekip studiuesish, fotografësh dhe regjisorësh, që nga viti 2007, ai është përfshirë në dokumentimin e fenomenit të tërheqjes së akullnajave më të mëdha në botë dhe ndan rezultatet e punës së tij përmes realizimit të ekspozitave, konferencave, programeve edukative, instalacioneve dhe dokumentarëve.

Fation Plaku ka lindur më 9 dhjetor 1975 në Tiranë, Shqipëri. Pasionin e tij për natyrën dhe ngjitjet malore i ushtron prej shumë vitesh dhe ndërkohë ka zhvilluar prirje që lidhen me natyrën, si alpinizmi, sportet ekstreme, eksplorimet dhe fotografia. Si anëtar i ekipit Everest 2012 realizoi ngjitjen më të lartë të planetit, Everestit 8848m më 25 maj 2012, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, të cilën e pasqyroi në një ekspozitë fotografike.

Në kuadrin e lëvizjes “7 majat e shtatë kontinenteve”, ai ka ngjitur majën Aconcagua 6962m në Argjentinë, majën Elbrus 5642m në Rusi dhe majën e Kilimanxharos 5895m në Tanzani. Pasioni për fotografinë ka bërë që Fationi të krijojë një fototekë shumë të pasur për natyrën shqiptare dhe në Kosovë.