Artistja Silva Agostini vjen në Bazament Art Space mes datave 17. 05 – 10. 06. 2018 me tri punë. – Fotografia e shkëputur nga seria fotografike “Granularity of Content” përmban një tërësi qiparisësh të cilët i rrijnë përqark rrënojës së një ndërtese njëkatëshe. Këmbëngulja jetësore duket se zotëron hapësirën përkundrejt harresës njerëzore. – Qendra e kësaj ekspozite i takon videos me titull “Forms of Presence”.

...

Mjedisi ku filmohet është i nëndheshëm, pamjet vijnë nga nëntoka; por edhe metaforikisht kumti vjen po nga nëntoka, nga “një arkivë e madhe natyrore e nëndheshme”.

Planet filmike ecin ngadalë e shpërfaqin lëkurë të varura dhe bashkëngjitur tyre qëndrojnë përcaktimet numërore, të cilat të kujtojnë sa numrat e skllevërve që ngrenë piramidën e Keopsit (“Piramida”, Ismail Kadare), sa të internuarit e kampeve naziste apo të atyre të regjimeve diktatoriale.

Përdorimi i numrit në lëkurët e varura shërben si shenjëzim i zhvlerësimit të identitetit dhe shfarosjes në masë ndaj gjinisë përkatëse. Lloji më i hasur i asgjësuar në video është dhia. Në mitologjinë shqiptare, kjo kafshë zotëron fuqitë magjike të zanave. Brirët e dhive të egra janë mbrojtja dhe dobësia e zanave. Në këtë film të shkurtër brirët janë “përkulur”… Por sytë vazhdojnë të akuzojnë… disa prej llojeve (në balsamosje) të ndërmendin akuzën. Në një tjetër këndvështrim, kjo dukuri (balsamosja) ndryn në vetvete sa ndjesën ndaj “viktimës”, po aq epërsinë ndaj saj.

Me një autopsi gjakftohtë, kamera ecën ngadalë në portrete, në imtësitë shqisore si: nofullat e shtrënguara, dhëmbët e pafuqishëm apo sytë; planet ndërrohen ngadalë po ashtu. Ai që spikat është shikimi si një formë përndjekjeje e viktimës ndaj viktimizuesit. Përgjatë gjithë kohës filmike videoja shoqërohet nga një kumbim zanor i tejzgjatur si dëshmi e përçartjes së vetëdijshme njerëzore. Asaj vetëdijeje që ka shkaktuar mizorinë, e cila, ndonëse “strehuar” nëndheshëm dy herë: edhe në video, edhe në hapësirën nën tokë të Bazamentit, jehon një kohë të çmendur.

“Forms of Presence” (videoja) të fton në përsiatje me karakter sa mitologjik, po aq historik, sigurisht nën ngasjen e analizave psiko-sociale.

– Pjesa e tretë e ekspozitës, “Rekuizitë muzikore” risjell zanat përmes “Die Feen” (“Zanat”) – aktit të tretë të kësaj opere të Richard Vagner-it në një performancë e cila ndërthur muzikën, tregimin dhe teknologjinë. Muzika luhet para mjedisit të ekspozitës përmes makinave parkuar gjatësisht rrugicës së Bazament Art Space-it dhe përmbajtja e saj (operës) përçon sërish botën mitologjike të zanave, një botë që ka ndryshuar vetëm formë, shenjime, porse në thelb ushqen luftën mes llojeve.

E gjithë ekspozita është në vetvete një thirrje ndaj kujtesës së përbashkët dhe vetëdijes vepruese gjithashtu.

Photos: Courtesy of Bazament Art Space