“Domethënia e fjalës ‘Lookaftering’, duke iu referuar fillimisht një përkujdesjeje në akt e sipër (e të evokuar në njëfarë mënyre në mungesë), na projekton gjithashtu te marrëdhënia e çuditshme mes shikimit e kohës, vazhdimësia e së cilës, dhënë nga mbrapashtesa ‘-ing’ që e shkëput prej realitetit të fjalorit, duket se mban ende në veprim atë pjesë kohore që për definicion nuk është më. Kemi të bëjmë me një fjalë të përveçme, ku shikimit të ndalur e pa kohë, megjithëse të disponueshëm, i rrjedh një e kryer potencialisht e hapur dhe e mundur. Pak a shumë si në idenë e grekëve, që sipas Roland Barthes ‘hynin te Vdekja së prapthi: ajo çka kishin përpara ishte e kaluara e tyre.”

...

Drejt një perspektive të ngjashme, ku atmosfera e një ‘kohe tjetër’ i përkon një kohe të ‘tjetërsuar’, orientohet edhe ekspozita e artistes italiane Moira Ricci në Muzeun ‘Marubi’, me dy vepra të realizuara kryesisht nga ngjarje të jetës së saj private, të cilave u rikthehet me një protagonizëm diskret e në një dialog të pamundur, gati-gati obsesiv, me imazhet e nanës – bashkëautore indirekte e momenteve që ata rrëfejnë. Nga gjuha e fotografisë tek ajo e videos, qëndrimi i saj mbetet pezull mes një kohe të rrjedhshme e të kthyeshme, e një tjetre që e gjen përfundimisht të shtangur. Në secilën nga veprat, kontekstet, ambientet e situatat ndërtojnë një galeri me imazhe ku artistja s’ka qenë e pranishme ose asiston përmes vështrimit të dikujt. Në rastin e videos, këtë e bëjnë filmimet e nanës në kohën kur e ndiqte në shfaqje e konkurse. Në to Moira rekuperon koreografitë e veta e marrëdhënien e kahershme me kërcimin. Një histori që e sjell të sinkronizuar me optimizmin e shpenguar të njërës prej kolonave zanore të filmit “Flashdance”; por ndryshe prej ekzaltimit të një ëndrre të realizuar që shpërfaq personazhi në film, aspirata e saj e dikurshme i flet më shumë një nostalgjie, të perceptueshme deri në zhurmat e vogla të videokasetave VHS që e trazojnë lehtë projeksionin.

Përbri tij shtrihet në vijë të njëtrajtshme cikli fotografik ‘20. 12. 53 – 10. 08. 04’, ku invertohet edhe dialogu i shikimeve të tyre. Tani është Moira, e gjendur para ndarjes nga jeta të nanës, që përpiqet ta ndjekë figurën e saj, e t’i afrohet në të vetmin vend akoma të mundur për të: në fotografitë e vjetra të familjes, brenda të cilave futet në kuptimin më direkt të fjalës. Për t’u bërë pjesë organike e tyre, asaj i duhet të inskenojë jo pak, e të vetëfotografohet; të gjurmojë imazhin, vendin e përshtatshëm që e pret; të kamuflojë veshje e kostume të periudhave të ndryshme; të zbërthejë sipërfaqe e tekstura fotosh; të bëjë të koinçidojë dritën, temperaturën e ngjyrave e ndonjëherë të presë edhe stinën e përshtatshme për të realizuar shkrepjen… Në stacionin final të procesit, në këtë seri me fotomontazhe, autorja stimulon si të vërtetë e real një iluzion tejet të kuruar pranie, të ‘paditur’ poetikisht (e qëllimisht) vetëm nga vigjilenca e saj melankolike, e izolimi në një kohë që vepron në çdo skaj të fotove, përveçse mbi të.”

Hapja e ekspozitës 

E premte 23 shkurt, ora 18:00

Bashkëbisedim me artisten Moira Ricci dhe kuratorin Lek M.Gjeloshi

E shtunë 24 shkurt, ora 11:00

Kjo ekspozitë mbështetet nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë dhe Instituti Italian i Kulturës Tiranë.