“Contingency” (Rastisje) emërtohet ekspozita e shfaqur prej artistes Meredith Davenport në mjedisin e Qendrës Kulturore Tulla prej datës 20 prill deri më 10 maj 2018. Teknikat e fotografisë, kolazhit dhe videos janë ato të cilat mundësojnë pasqyrimin e ideve të artistes në fjalë.

Dhe këto ide përqendrohen në marrëdhënien midis hapësirës politike dhe personale në Ballkan, paraqitur përmes pamjesh arkitekturore, peizazhesh, si dhe raportimesh mediatike. Kjo dëshirë për të pasqyruar Ballkanin nuk ndodh rastësishëm, porse është rrjedhojë e udhëtimeve të saj në këtë rajon përgjatë stinës së verës për 3 vjet radhazi. Pamjet e përcjella janë përftim i kamerës personale, por jo vetëm. Në kolazhet e krijuara artistes i vijnë në ndihmë edhe pamjet e botuara në gazeta.
Emërtesa “Rastisje” – si mundësi e bazuar në diçka të pasigurt, që varet nga përmbushja e një kushti” (teksti kuratorial) – mishërohet gati në çdo pjesë përbërëse të ekspozitës: pavarësisht vullnetit njerëzor dhe gjurmës që qenia humane zgjedh me vetëdije të lërë, ndodh që rastësisht të kemi edhe gjurmë të cilat ose nuk i patëm parashikuar, ose i patëm shpërfillur përgjatë rrugëtimit tonë njerëzor.
Peizazhi natyror zgjidhet të paraqitet enkas pamjaftueshmërisht ose paqartësisht në ekspozitë. Ka raste kur peizazhi i paraqitur edhe mbart, edhe s’mbart rëndësinë më të lartë; janë ato pamje të cilat vënë përballë dorës së natyrës dorën e njeriut.
Elementi arkitekturor i paraqitur në ekspozitë sigurisht nuk synon shkëlqimin, përkundrazi, synon të përcjellë këndet e sapondërtuara apo ato në rrënim. Duket se qëllimi i autores është dokumentimi i realitetit pa e përcaktuar atë si nga pikëpamja hapësinore, si nga ajo kohore.
Meredith Davenport është profesore e asociuar në Institutin Rochester të Teknologjisë në Nju-Jork dhe ka dhënë mësim në klasat e fotografisë në RIT në Kosovë. Fotografitë e saj janë pasqyruar edhe në revista prestigjioze, shpesh duke fituar çmime ndërkombëtare. (https://www.meredithdavenport.com/)