Në HARABEL Contemporary Art u zhvillua ditën e premte, më 20 prill 2018, një bashkëbisedim i hapur për artistë, kuratorë dhe studiues të artit, ku në qendër ishte diskutimi rreth qëllimit dhe vlerës së krijimit të një arkivi dixhital dhe fizik të artit bashkëkohor.

Përgjatë këtij takimi, Marta Bianchi dhe Martina Angelotti, përkatësisht në cilësinë e Presidentes dhe Drejtores Artistike të Careof-it në Milano, bënë të njohur për pjesëmarrësit veprimtarinë e Careof-it, një platformë e artit bashkëkohor në Itali, krijuar që prej vitit 1987 nga Mario Gorni.
Careof-i përfshin në arkivin e vet dixhital dhe fizik imazhe të veprave të ndryshme (fotografi, video) të artistëve që kanë jetuar dhe krijuar në Itali, si dhe një librari jo vetëm fizike, por edhe *online*, e cila përmban libra e dokumentime të ndryshme të punës artistike të artistëve të ndryshëm italianë, si dhe atyre të cilat kanë punuar me apo për Italinë.
Në përngjasim me të, do të mbarëveprojë edhe platforma HARABEL në njërin komponent të saj, atë të krijimit të arkivës së artit bashkëkohor shqiptar. Pra, një arkiv dixhital, i cili synon pasqyrimin e artit pamor bashkëkohor në Shqipëri (nisur prej vitit 1991 e në vijim), por edhe krijimet e atyre artistëve të huaj të cilët kanë krijuar gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri.
Nga vetë emërtesa, arkiv, kjo platformë përbën një pikënisje, një hallkë që do të luajë rol dokumentues, në shërbim të historisë së artit bashkëkohor pamor shqiptar, si një nxitje për ruajtjen e kujtesës kolektive.
Marta Bianchi dhe Martina Angelotti, në prezantimin e tyre shpjeguan se si dhe pse lindi Careof-i në Itali; paraqitën konfigurimin konkret të arkivit, pra mënyrën se si shfaqet vizualisht; si mund të përdoret një arkiv i kësaj natyre jo vetëm nga studiuesit, studentët e artit, por edhe nga admiruesit e artit.
Disa nga pikat me interes për artistët pjesëmarrës në bashkëbisedim ishin: mënyrat e përzgjedhjes së autorëve dhe krijimeve përkatëse në arkiv; të drejtat e përdorimit të krijimeve, si edhe nëse kishte autorë shqiptarë të përzgjedhur në arkivin Careof.
Në përmbyllje të bashkëbisedimit, me qëllim ilustrimi, u shfaq videoja e vitit 1971 me titull “I cani lenti” (“Qentë e ngadaltë”) nga artisti i mirënjohur italian Franco Vaccari.