Ekspozita personale e artistes Ledia Kostandini në hapësirën Bazament në Tiranë, e cila u hap më 19 prill 2018, përbën njëkohësisht edhe herën e parë që kjo punë shfaqet për publikun.

Për një periudhë kohore prej shtatë vitesh, Ledia Kostandini ka punuar me një koleksion kartolinash; kartolina, të cilat u janë dërguar familjarëve të saj (gjyshit, babait, xhaxhallarëve dhe hallave) përgjatë 40 viteve dhe që artistja Kostandini i zbuloi në vitin 2011. Tekstet e urimit brenda tyre janë të thjeshta, si dhe paraqesin ndërveprimin shpirtëror e shoqëror mes dërguesve dhe marrësve. Kartolinat (pamje të qyteteve apo peizazheve të ndryshme shqiptare), ashtu si urimet vinin nga e gjithë Shqipëria e drejtoheshin në Pogradec, brenda harkut kohor 1950-1990, kohë që shtrihet brenda periudhës së izolimit politik në Shqipëri.
Kohë më vonë, nga objekte të marrëdhënieve ndërpersonale dhe nën fantazinë krijuese të artistes, këto objekte shndërrohen në një medium artistik përmes të cilit ajo bën kohët të komunikojnë mes njëra-tjetrës.
Këto kartolina, në dukje të thjeshta, e kanë nxitur artisten të bëjë udhëtime kryq e tërthor vendit, në kërkim të gjurmëve të një Shqipërie që nuk është më dhe zbulimit të një vendi të ri gjatë këtij rrugëtimi.
Kartolinat janë të vendosura në një kutizë të vogël druri: në të majtë kartolina, ku mund të lexohet edhe urimi në pjesën e prapme të saj, e përbri, në të djathtë e njëjta pamje e kartolinës, por tanimë e fotografuar nga vetë artistja, në ditët e sotme. Çdo pjesëz përbërëse e ekspozitës “Takohemi diku midis” e vë të njëjtën hapësirë gjeografike në dy kohë, dje dhe sot. Përmes zbulimesh vetjake, Kostandini ka fotografuar me shumë saktësi të njëjtën pamje të çdo kartoline në qytetin përkatës, duke përftuar kështu një realitet të dyfishtë.
Ky dyfishim përputhet me një realitet të jetuar: gjyshi i saj ndërroi jetë nga ndalimi i zemrës në natën e 31 dhjetorit 1982 dhe u varros të nesërmen. Por vdekja e tij nuk i ndaloi kartolinat që tashmë ishin nisur me postë në drejtim të tij. Ekspozita në galerinë Bazament shpërfaq këtë paradoks të jetuar të së kaluarës, të së tashmes dhe të së ardhmes.
Natyrshëm, si një pamohueshmëri e rrjedhës së kohës dhe jetës njerëzore, realiteti shqiptar, ashtu si çdo realitet tjetër në botë, nuk ka si të jetë i njëjti dhjetëvjeçarë më vonë. Pikërisht këtë ka dashur të sjellë artistja në sytë e publikut: një krahasim kohe dhe hapësire përmes kartolinave të dikurshme dhe fotografive të tanishme, bërë nga vetë ajo.
Pas gjithë këtyre viteve, Shqipëria nuk ngjan më me atë se çfarë ka qenë dikur. Në ilustrim të kësaj, në tekstin përshkrues të ekspozitës përmendet shkrimtari Italo Calvino, i cili përshkruan “të padukshmen” e Maurilias: “Ashtu si kartolinat e vjetra nuk e paraqesin Maurilian si ka qenë, por si një qytet tjetër, që rastësisht, njësoj me këtë qytet, quhej Maurilia”. Shqipëria, ashtu si Maurilia, shndërrohet në një trillim të krijuar vetë.
*Ledia Kostandini është artiste shqiptare që jeton në Tiranë. Ajo është diplomuar në Universitetin e Arteve, në Tiranë. Praktika e saj përfshin mediume të ndryshme, përfshirë fotografinë, pikturën, instalacionin, ndërhyrjet publike dhe ilustrimin.