Me 6 Korrik, 2023, ora 19:30, Harabel Contemporary në bashkëpunim me Universitetin e Arteve të Tiranës, inauguroi Galerinë “GurGur” në Petrelë me ekspozitën“Soft Sculptures”.

“Soft Sculptures” është një takim me artdashësit dhe një përmbledhje e rrugëtimit artistik dhe profesional të studentëve dhe pedagogëve të Atelierit të Tekstilit dhe Modës, të Universitetit të Arteve, realizuar me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Një takim dhe prezantim i veprave jashtë mureve të shkollës, ku procesi i lidhjes së veprave me hapësirën e re, me artistë e profesionistë të fushës dhe më gjerë, është sfida e fundvitit të këtij programi.

Artistët e rinj përmbyllin procesin duke vendosur veprën dhe veten në një përballje me publikun dhe kritikën.

Ekspozita ndahet pa kufij në dy hapësira, brenda dhe jashtë mureve, ku veprat janë në mediume, dimensione, ide dhe koncepte të ndryshme.

Punët prezantohen nën moton për të qenë në avangardën e tregut dhe propozimeve për konsumatorin, duke punuar fort dhe me inteligjencë jo vetëm për të mbijetuar në tregun global, por edhe për të sjellë risi në përpjekjet e vazhdueshme për të vënë themelet e një mode identitare bashkëkohore, duke e parë dhe trajtuar veshjen si një fenomen të pashkëputur nga konteksti social, historik dhe psikologjia kombëtare.

Tradita përdoret si terren bazë për të mbështetur e ngritur modën shqiptare të së ardhmes, me besimin që moda mbështetur në një territor autentik mund të na bëjë të jemi pjesë e tregut global në mënyrë të qëndrueshme, konkurrente dhe dinjitoze.

Kjo ekspozitë e ndërtuar me punë të përzgjedhura të studentëve të Atelierit të Tekstilit dhe Modës, është dëshmi e lirisë intelektuale, krijuar hap pas hapi nëpërmjet edukimit dhe informacionit, mendjes së hapur dhe përthithjes e përafrimit me të gjitha mediumet, aksesit ndaj historisë e artit dhe vlerësimit të hartave të relativitetit e psikologjisë njerëzore.

Duke besuar që një vepër arti është një rezultat unik i një temperamenti unik, kemi ndërtuar me studentët një proces pune dhe dialogu ku tema e dhënë orientohet specifikisht tek individi, duke i futur studentët në procesin e njohjes së vetes, për t’u reflektuar në një projekt të personalizuar. Përvetësimi i proceseve artistike, përmes vizatimit, kompozimit, printimit, kolazheve,  ngritjes së veprave dy-tredimensionale, njohja e materieve të buta, studimi i fibrave, manipulimet, teksturat, teknikat e endjes dhe të ndërtimit të veshjes, përbëjnë rrugëtimin artistik e profesional të studentëve për të gjetur formatin individual të shprehjes si artistët më të rinj të fibrave dhe fashion design-it.