Qendra për Hapje dhe Dialog çel sezonin artistik me ekspozitën vetjake të artistes Blerta Kambo të titulluar “Burrë i Kështjellës”. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për vizitorët gjatë datave 13 janar – 14 shkurt, 2024.

...

Kambo vjen në këtë ekspozitë me një seri fotografish, disa instalacione dhe një skulpturë. Tematika që ajo trajton nëpërmjet artit të saj ka të bëjë me rëndësinë e peshës së figurës burrërore në shoqëri dhe njëkohësisht pasojën e këtij shkaku që është figura e gruas.

“Burrë i Kështjellës” është një seri fotografike që bazohet kryesisht tek fasada e ndërtesave të ndërtuara nga burrat në formën e kështjellave. Imazhi i pothuajse të gjitha fotografive ka një ndërhyrje digjitale duke i kthyer ato në dritë infra të kuqe, ose siç njihet ndyshe, drita e padukshme për syrin e njeriut. Çdo gjë rreth e qark kështjellave merr një nuancë rozë (e klasifikuar si ngjyrë femërore), si për të thyer disi mitin e forcës burrërore. Kjo seri fotografish dhe instalacionesh ndahet në dy nëntema: Jeta/Vdekja dhe Lindja.

Jeta/Vdekja

Fotografitë ekspozohen në të gjithë hollin e COD, duke filluar nga një triptik në ballin kryesor të hyrjes. Ky triptik fotografish ripërsërit të njëjtin imazh; një kullë në dimesione të ndryshme, që të rikujton kullën e ngujimit. Këtë gjë Kambo e lidh me gjakmarrjen që sipas kanunit prekte vetëm burrat ose djemt, të cilët ngujoheshin në të për t’i shpëtuar vdekjes. Në anë të saj ekspozohet dhe një skupturë prej qelqi e një shkalle rozë. Në këtë hapësirë ekspozohen dhe imazhe të tjera shtëpish të fotografuara në vende të ndryshme të Shqipërisë.

Lindja

Vijon më pas në hapësirën e dhomës së vogël në të djathtë një instalacion me titull “herë tjetër me djalë” (2023) një thënie e shkëputur nga rastet kur lind një vajzë. Thënia është e prodhuar në pleksiglas në LED e cila pason me disa perde në alumin ngjyrë rozë dhe përmbyllen me një tjetër instalacion me fjalën “burrnesh” (2023). Sipas artistes këto instalacione mbartin ngjyrën roze si version stereotip femëror.

Në korridorin në të majtë të hapësirës janë të instaluara dy shprehje të tjera s pleksiglas në LED; “krim pasioni” (2023) , një shprehje që përdoret nga mediat për rastet e femicidit dhe “vajzë për shtëpi” (2023) si rrjedhojë e ‘vajzë e mirë’, që kryen punët e shtëpisë, për t’u martuar, e virgjër (shkëputur nga titujt e veprave të artistes).

Blerta Kambo (lindur më 1985) është fotografe dhe artiste pamore shqiptare. Projektet personale të saj ndjekin një qasje konceptuale, duke i trajtuar ato si arkiva, të vërteta/fiksione të shumta, ekofeminizmi, maskuliniteti i brishtë, hapësira si ndjenjë dhe arkitektura e ngulitur në hapësirë ​​- si një rrëfim në kontekstin e saj social.

Në vitin 2023, Blerta ishte finaliste në Circa Contemporary Art Prize, Londër, MB.