Më 25 prill, Harabel inaguroi eskpoziten vetjake te artisted Greta Pllana, e kuruar nga Ajola Xoxa, në Galerinë Naan në Tiranë.
Greta Pllana jeton dhe punon në Milano (Itali), por fëmijëria e kaluar në vendlindje jehon vazhdimisht në punën e saj, duke rrëfyer rolin e gruas në shoqërinë shqiptare, të shkuar dhe të sotme. Greta ishte një vajzë e vogël kur endej ndër ritualet e dasmës shqiptare, por pa vetëdije, njëkohësisht ajo dëshmonte një nga shprehjet më zëlarta të patriarkalizmit. Në ekspozitën “Copash”, artistja Greta Pllana thellohet në sjelljet normative patriarkale të ngulitura në ceremonitë tradicionale të martesës, duke zbuluar sesi këto rite, ashtu në heshtje por pa u vënë në diskutim, nënvizojnë nënshtrimin e gruas në shoqërinë tonë. Ekspozita është konceptuar si një ceremoni tregimtare, ku objektet e përditshme e krejt të rëndomta, si tavlla e duhanit apo gota, marrin kuptime të reja simbolike. Gota e pijes për shembull, shpesh e dedikuar për “alkool për burrat”, ndërsa për gratë mban pije “më të buta”, më “femërore”, edhe pse në dukje thjesht një ripërsëritje e zakonit, përforcon sërish rolet gjinore. Piktura e Pllanës eksploron momente intime të jetës private, si për shembull kur një nuse “i dorëzohet” burrit të saj të ardhshëm, shpesh përmes marrëveshjeve familjare, pa e pyetur çiftin. Në katin e dytë të Galerisë, artistja ka zgjedhur jo pa qëllim të pikturojë në murin e dhomës më të vogël të Galerisë, një situatë familjare trekëndore: një grua i jep para një burri, e vëzhguar nga një vajzë e re. Ky imazh jo vetëm që kritikon transaksionet ekonomike të qenësishme në mjediset tradicionale martesore, por edhe ndikimet emocionale dhe shoqërore të këtyre transaksioneve tek brezat e rinj. Në këtë rast, është gruaja ajo që i ofron paratë bashkëshortit të saj, të paraqitur në një pikturë me ngjyrë rozë-pjeshkë thuajse ëndërrimtare, si një sugjerim i delikat (por shumë i fortë) për ndryshim. Më tej, ekspozita përfshin disa portrete, shpesh me buzëqeshjen tipike të fotografisë perfekte…, por të gjithë janë të vendosur krah luleve të gjembaçit – një bimë që Pllana e fotografon shpesh gjatë shëtitjeve malore. Gjembaçët, të cilat lulëzojnë pa mund në mjedise të ashpra dhe të thata pa nevojë për kujdes, veç dritës së diellit, pasqyrojnë në mënyrë metaforike gjendjen femërore, si simbolikë e aftësisë për t’u përshtatur por edhe si koracë luftarake mbrojtëse. Një tjetër lloj bukurie; por pikturat e gjembaçëve thonë po aq sa ato të portreteve, natyrë e qetë jo aq e qetë…
Pllana nuk kërkon vetëm të përgjigjet, por të nisë një dialog, duke sfiduar status quo-në si hap i parë drejt ndryshimit. Ekspozita inkurajon shikuesit të analizojnë jo vetëm mjeshtërinë artistike, por strukturat e rrënjosura thellë shoqërore që ai pasqyron, duke e bërë atë një eksplorim therës të gjendjes së gruas, autonomisë dhe kërkimit të transformimit personal dhe shoqëror.
Ajola Xoxa