Bazament Art Space çel ekspozitën vetjake të artistes Laureta Hajrullahu, e kuruar nga Maximilian Lehner. Punët e saj artistike, të mediumeve të ndryshme, në këtë ekspozitë bazohen në figurën e vajzave në realitetin tonë dhe atë virtual. Përgjatë hapësirës së galerisë ekspozohen dy video-montazhe, dy printime digjitale në mure dhe katër skulptura me resinë. Kjo ekspozitë do të jetë e hapur për vizitorët nga data 13 qershor deri më 19 shtator 2024.

...

Të gjitha veprat e Hajrullahut eksplorojnë gjininë, privatësinë, intimitetin, ekosistemet digjitale, video lojërat, të ardhmet e ‘pa mundura’, trupat stereotipike femërore etj.

Artistja beson se punët e saj janë frymëzuar nga vetmia që ka përjetuar në qytetin e saj të lindjes (Preshevë). Ndaj duke qenë se ajo ka ndjerë një farë zhgënjimi nga realiteti, ajo është kthyer tek bota virtuale, ku ka përjetuar një lloj arratisje nga rutina e përditshme dhe problemet që hasin vajzat dhe gratë. 

Edhe pasi bota virtuale shihet si një hapsirë ku mund të jesh vetvetja, artistja ka zgjedhur të luajë me shprehjen “On the Internet, nobody knoës you’re a dog”. Duke luajtur me anononimitetin që ofron bota virtuale, Hajrullahu që kur kishte akses në internet, ‘ndryshonte realitetin’ e saj duke ndryshuar gjinine, moshën, adresën dhe nacionalitetin e saj, me të huaj online. Dhe sipas saj, ky ka qenë momenti i parë ku ajo është përballur me pabarazinë gjinore.

 

Laureta Hajrullahu e lindur më 1997, në Preshevë, Serbi — është një artiste multimediale nga Prishtina. Puna e saj artistike eksploron privatësinë, gjininë, intimitetin, ekosistemet dixhitale, videolojërat dhe të ardhmen e pamundur. Nëpërmjet punës së saj në median digjitale, ajo paraqet pikëpamje të ndryshme, të informuara në mënyrë kritike mbi ‘realitetin’. Ajo e bën këtë duke dekonstruktuar dhe rivlerësuar vazhdimisht kufijtë midis botës virtuale dhe asaj fizike.