“Artivizmi për një transformim social të përgjithshëm” mban titullin ekspozita e hapur në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD) të artistit italian Michelangelo Pistoletto. Veprat e artistit u mbajtën të ekspozuara për vizitorët gjatë periudhës 22 Maj deri më 2 Korrik 2024.

...

Në këtë ekspozitë prezantohen një sërë veprash të Pistoletto-s të realizuara në mediume të ndyshme si: fotografi, instalacione, skulptura, video-instalacion etj. Subjekt i përbashkët në krijimtarinë e veprave të tij është Artivizmi, një koncept i krijuar nga Fondacioni Pistoletto Cittadellarte që ndërtohet/zhvillohet nga fjala “art” dhe “aktivizëm”. Arkivizmi krijon një shteg të drejtpërdrejtë mes artistit dhe individëve që punojnë me art duke u zhvilluar si mjet ndikues në realitetin shoqëroj përmes çështjeve sociale.

Në hollin e hapësirës së COD është ekspozuar vepra “Love Diference”; harta e Mesdheut e realizuar në pasqyrë, është e rrethuar nga karrige që i përkasin kulturave apo vendeve përreth tij dhe në ball të hollit një tabele me mbishkrimin “Love Diference”, një vepër interaktive që u jep mundësinë vizitorëve të lënë një mbishkrim në të. Gjithashtu, në muret e e kësaj hapësire ekspozihen dhe disa fotografi dokumentuese të disa ndërhyrjeve instalacionesh në natyrë me Simboli i Parajsës së Tretë që sipas artistit Trinamika është dinamika e numrit tre.

Në dhomën e vogël në të djathtë ekspozohen “Veprat Pasqyrë” të përbëra nga një pllakë çeliku inoks e ilustruar si pasqyrë mbi të cilat aplikohet një imazh i pikturuar në letër mëndafshi, i përftuar duke kopjuar në kalk një fotografi të zmadhuar në përmasa reale. Vepra ka në fokus përfshirjen në këtë vepër të spëktaktorit dhe hapësirës përreth që e bën veprën të jetë “autoportreti i botës”.

Më pas vijojmë në korridorin e hapësirës në të majtë ku vizitori kalon përmes disa kornizave të drunjta që mbajnë mbishkrime me fjalët: Lavoro (puna); Politica (politika); Nutrimento; Societa; Comunicazione; Ecologia; Mitologia; Scienza. Përgjatë këtij kalimin ekspozohen dhe një shkrim në led ku mban titullin e fondacionit Pistoletto “Cittadellarte”. Ekologjia shfaq një fole harabelash të mbyllur në një strukturë shtëpije prej xhami; fole e cila ka rënë në duar të artistit ndërsa krasiste një gardh trëndafilash në hyrje të Cittadellarte në Bilelë. Tek Mitologjia, në fund korridori ekspozohet një ndër veprat përfaqësuese të Arte Povera, Venusi i rreckave, një skulturë prej çementove të mbuluar me pluhur të një minerali me origjinë vullkanike e vendosur me kurriz nga publiku mban mbi një pirg rreckash që janë përdorur kryesisht nga artisti në kohën e krijimit të Veprave Pasqyrë.

Në përmbyllje të ekspozitës ekspozohen formulat e studimit e fundit të tij në lidhje me kozmologjinë. Trinamika sipas artistit është parimi i krijimit, shkenca e mardhënieve dhe e ekuilibrave. Në këtë korridor i kushtohet vemendje dhe një video insalacioni me të njejtin emër ku vetë Pistoletto shpjegon domethenien dhe veprën “Nga infiniti te krijimi”. Në fund ekspozohet Metaversi, Autoportreti Pistoletto në mediumin e Veprave Pasqyrë në të cilën ndërfut elementin e kodit QR. Kjo vepër sjell dymbëdhjetë kode të stampuara në trupin e artistit si tatuazhe ku ato mund të skanohen nga vizitorët në të cilat shfaqen imazhe dhe filmime që lidhen me etapat e krijimtarisë artistike të Pistolettos.

Michelangelo Pistoletto (lindur më 23 qershor 1933) është një piktor italian, artist veprimi e objektesh dhe teoricien arti. Pistoletto njihet si një nga përfaqësuesit kryesorë të Arte Povera-s italiane. Puna e tij kryesisht merret me tematikën e reflektimit (veçanërisht në pikturat e tij në pasqyrë) dhe unifikimin e artit dhe jetës së përditshme në termat e një Gesamtkunstwerk.

Në vitin 1996, ai themeloi qytetin e artit Cittadelarte – Fondazione Pistoletto në një fabrikë tekstili të braktisur pranë Biella-s, si një qendër dhe “laborator”, duke mbështetur dhe hulumtuar burime krijuese dhe duke prodhuar ide dhe mundësi novatore.

Arti i Michelangelo Pistoletto u shfaq në ekspozita të mëdha ndërkombëtare, duke përfshirë Documenta 7 dhe 9 në Kassel (1982 dhe 1992), si dhe Bienalet e Venecias të 1984, 1986 dhe 1993. Pistoletto mori çmimin Leone d’Oro për arritjet e tij, në Bienalen e Venecias 2003. Në vitin 2007, ai u nderua me çmimin prestigjioz Wolf Foundation në Jerusalem, duke vlerësuar kontributin e tij të gjerë në botën e artit. Në vitin 2000, Museu d’Art Contemporani de Barcelona mbajti një retrospektivë të punës së tij.

Veprat e tij janë të pranishme në koleksionet e muzeve kryesore të artit modern dhe bashkëkohor, duke përfshirë: Macba – Museu d’art contemporani de Barcelona; Berlin, Neue Nationalgalerie;  Bruxelles, Musées Royaux des Beaux-Arts de Belgique; Londër, Tate Modern; Los Angeles, LACMA – Muzeu i Artit të Los Anxhelosit; Madrid, Museo Nacional Centro de Arte Reina Sofía; Marseille, MAC – Musées d´Art Contemporain; Napoli, Museo d’Arte Contemporanea Donna Regina Madre; Nju Jork, MoMA – Muzeu i Artit Modern; Nju Jork, Muzeu Metropolitan i Artit; Paris, Qendra Georges Pompidou-Musee National d’Art Modern; Roma, MAXXI – Museo Nazionale delle Arti del XXI Secolo; San Francisko, MOMASF-Muzeu i Artit Modern; Torino, GAM – Galleria Civica d’Arte Moderna e Contemporanea; Milano, Museo del Novecento. etj.

Që nga viti 1990, Pistoletto jeton dhe punon në Torino.