Më 30 shtator, 2024 Harabel inaguroi në Galerinë GurGur në Petrelë, ekspozitën “Domestic Spaces”, të studentëve të sapo diplomuar të Departamentit Art dhe Dizajn të Universitetit Polis, Anja Çapuni, Dorina Xhemollari, Egi Bozhiqi, Lusinda Culhaj, Megi Kodra, Rinela Skora, Sara Tafaram dhe Sevasti Ndini.
“Hapësira shtëpiake” flet për hapësirën private të shtëpisë, kundrejt hapësirës publike apo urbane, të një qyteti, në tërësi. Në vitet ’70, dualiteti i hapësirës private kundrejt asaj publike u kritikua nga shumë feministe, përfshirë artistët që e shikonin hapësirën publike si një vend të dukshëm të ushtrimit patriarkal, në kundërshtim me hapësirën e ngushtë dhe të izoluar, në të cilën gratë ishin releguar, pikërisht hapësirës shtëpiake.
Hapësirat shtëpiake, shprehur në shumës, tejkalojnë idenë e një ndarjeje të qartë mes atyre publike dhe private, duke kapërcyer në një farë mënyre, të paktën potencialisht, idenë e hapësirave të orientuara sipas gjinisë. Ky tejkalim bëhet i dukshëm në ekspozitë përmes veprave që përdorin dhe rinterpretimin e hapësirës shtëpiake si një hapësirë subjektive dhe ndonjëherë psikologjike. Hapësira shtëpiake bëhet një metaforë për “familjare” apo “intime,” ku ideja e feministeve të viteve ’70 kontraston subjektiven me kolektiven. Objektet shtëpiake, historitë familjare, traumat dhe subjekti i viteve komplekse formojnë ekspozitën “Hapësirat Shtëpiake”.
Artistet e pranishëm në ekspozitë, me përkatësi gjininë femërore, përdorin objekte të zakonshme dhe të gjetura nga hapësira shtëpiake; jo për ta përfaqësuar thjesht atë, por për të përmbysur nocionin e një narracioni linear të gruas, si shtëpiake. Gruaja, brenda këtyre “hapësirave shtëpiake” të reja dhe bashkëkohore, është një subjekt kompleks që kthehet në përcaktorin e një tërësie aktivitetesh: loja brenda kontekstit të shtëpisë si fëmijë; vizatimi në fletoren e saj; fotografimi i kujtimeve dhe gjurmëve historike të hapësirës shtëpiake si një hapësirë sociale për të dashurit; streha në shtrat; mbulimi me batanije, si një formë për të treguar barrën; apo instalimi i një dhome ngrënieje tradicionale, kryesisht si një hapësirë rastësore, brenda së përditshmes.
Në këtë mënyrë, veprat në ekspozitë përdorin mjetet shtëpiake si shkronjat e një alfabeti të ri, ose një gjuhe që është simptomatike për një hapësirë, midis gjinisë dhe midis kuptimit të publikes dhe privates. Një dimension i ri që mund të instrumentalizojë strehën dhe simbolikën e saj, ndërtuar nën tisin e kohës, duke lidhur kështu këto hapësira intime vetë-shprehëse.
Teksti kuratorial nga Remijon Pronja