Më 2 Nëntor, 2024, Harabel Contemporary inauguroi ekspozitën “Kujdes nga ëndrra e tjetrit” me veprat e artistit Fatlum Doçi, në Galerinë e Arteve të Shkodrës.
Burimi i Ëndrra e një nate vere e Shekspirit është Metamorfozat e poetit romak Ovid, një poemë epike që bashkon shumë mite greke dhe romake. Shekspiri luan me ato mite, duke u ndier i lirë t’u japë një tjetër formë. Po kështu edhe për Fatlum Doçin, procesi i krijimit është një vend transformimi, një lehtësim nga rendi i ngurtë i gjërave, njësoj siç është pylli për Shekspirin. Çdo vepër është një krijesë e re e panjohur, e gatshme për të ardhur në jetë; por ka më shumë të ngjarë që këto krijesa të reja të kenë dalë nga një ëndërr sesa nga një makth, ose thjesht kanë mbërritur nga një planet që nuk e kategorizon të mirën apo të keqen.
Doçi eksploron idenë e hapësirave përtej realitetit (të transformuara nga magjepsja dhe ndoshta e mbinatyrshmja?). Sikurse Shekspiri na prezanton me zana, pyje të magjepsur, ngjarje të pakontrollueshme dhe kaos të shkaktuar nga dëshira; ashtu vepra e Doçit duket se sugjeron se marrëdhënia njerëzore është një garë ëndërrash; ose ndoshta një vizion; është absurde, irracionale, një lajthitje, ose, nga ana tjetër, një shpërfytyrim.
Veprat e artit të Fatlumit janë plot simbolikë, ose pse jo, janë tërësisht të zhveshura nga ajo: sepse janë thjesht të lira. Madje Doçi është i lirë edhe nga vetja e tij: në transpozimin që ai bën nga vizatimi në pikturë në skulpturë, është sikur ai e ndan veten në disa pjesë, ku secila ka një proces të mëvetshëm krijues, ku secila ëndërron më vete, madje deri në mospranim të ëndrrës së “tjetrës”. (Kujdes nga ëndrrat, ato mbartin gjithmonë me vete frikën se mund të bëhen realitet.)
A është ajo që sheh ajo që SHEH? Me shumë mundësi Doçi do të përgjigjet se jo. Por a ka rëndësi vërtet?
Nga teksti kuratorial i Ajola Xoxa.