“Unidentified False Objects (U.F.O.)” është ekspozita vetjake e artistit Ardian Isufi, e hapur tek Galeria GOCAT dhe e kuruar nga Elton Koritari. Koncepti i ekspozitës thellohet në tema të utopisë dhe distopisë. Në hapësinën e galerisë eskpozohen 8 vepra të ndryshme duke përfshirë video, fotografi dhe instalacione, të cilat krijojnë një eksplorim artistik me një qasje bashkëkohore. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun nga 31 Dhjetor, 2024 – 10 Shkurt, 2025.

...

Ekspozita është një reflektim i së shkuarës së Shqipërisë, duke u fokusuar në propagandën dhe manipulimin e sistemit komunist, njëkohësisht duke analizuar situatat socio-absurde të një vendi në tranzicion.

“Unidentified False Objects” është një ndërhyrje artistike site-specifik nga Isufi. Ekspozita është përshtatur specifikisht për hapësirën e galerise. Edhe veprat të cilat kishin një rrugetim primar, janë modifikuar për t’iu përshtatur galerisë. Ekspozita gjithashtu ka disa elemente interaktive, ku publiku mund të ndërveprojë me disa nga veprat e artit.

Ekspozita është e ndarë në të dyja hapësirat e galerisë, në të parën ekspozohen instalacionet: “U.F.O No.1 Bunker Church”, “U.F.O No 4 Chimney Minaret”, “U.F.O No 5 Concrete Bonbons” dhe slogani “U.F.O No 8 Power On”. Në hapësirën e dytë shfaqen: “U.F.O No 2 Uterus”, “U.F.O No 3 Flying Tanks”, “U.F.O No 6 Metallurgjic Disney” dhe “U.F.O No 7 Kukës Disneyland”.

Një nga instalacionet kryesore është “U.F.O No.1 Bunker Church”, një simbol nga periudha komuniste e Shqipërisë, i cili qe kthyer në një Kishe Ortodokse nga besimëtarët e fshtatit Lin në Pogradec. Ky ndryshim simbolizon natyrën transformative të objekteve historike, sesi ato evolojnë nga mjete të kontrollit masiv në hapësira të besimit fetar.

“U.F.O No 3 Flying Tanks” është një tjetër vepër ku funksioni i objektit është tjetërsuar, depozitat e karburantit të avionëve janë kthyer në depozita uji të pijshëm. Me këtë vepër artisti identifikon paqëndrueshmërinë e vendeve në tranzicion (nga regjimi komunist). Në mënyrë të ngjashme “U.F.O No.4” i referohet një ish-fabrike qelqi e transformuar në një xhami nga besimtarët në qytetin e Kavajës. Kjo vepër tregon sesi elementet urbane, mund të definohen ndryshe nga narrativa e kulturës dhe fesë (eksperienca njerëzore).

Përmes këtyre veprave Isufi kritikon edhe prentimet utopike të komunizmit edhe realitetin modern të kapitalizmit, ku çdo gjë përfshirë industrinë, përshtatet për përfitime. Ekspozita vë në pikëpyetje lidhjen midis hapësirave publike dhe memories kolektive, duke nxitur publikun të reflektojnë sesi grupe të ndryshme të shoqërisë ndryshojnë kuptimin dhe manipulojnë të shkuarën.