“Dinastia Marubi – Njëqind vite të studios fotografike shqiptare” mban titullin ekspozita e hapur në Galerinë e Artit Tiranë (GAT) me koleksionet e tre gjeneratave të fotografëve të Dinastisë Marubi, Pietro, Kel dhe Gegë Marubi.

Ekspozita është një udhëtim i fuqishëm dhe emocional në historinë e Shqipërisë, rrëfyer përmes objektivit të një familjeje të jashtëzakonshme fotografësh. E kuruar nga Kim Knoppers në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, ekspozita sjell një përzgjedhje mbresëlënëse nga arkiva Marubi, një koleksion që përmban mbi 150,000 negativa në pllaka xhami, të realizuara midis viteve 1865 dhe 1959. Ekspozita përfshin disa riprodhime moderne dhe projeksione të xham negativëve të skanuar. Këto vepra u mbajtën të ekspozuara për publikun nga data 27 shkurt – 27 prill 2025.
Ekspozita nuk është thjesht një retrospektivë dokumentare, por një rrëfim i strukturuar përmes disa serive me tematika të ndryshme që tregojnë rolin që fotografia ka luajtur në jetën e shqiptarëve. Ekspozita përfshinte seri si Karnavali, që pasqyron gjallërinë e festave tradicionale; Veshjet Folklorike, një dëshmi vizuale e pasurisë kulturore shqiptare; si dhe Glamour, portrete të sofistikuara që shfaqin stilin dhe aspiratat e kohës. Seritë më të errëta dhe reflektuese si Fotografitë e Policisë dhe Post Mortem hedhin dritë mbi funksionet burokratike dhe shpirtërore të fotografisë, ndërsa Artefakte dhe Riprodhime dokumenton objektet kulturore dhe historike të ruajtura përmes fotografimit në studio.
Këto seri së bashku formojnë një narrativë unike vizuale që nuk regjistron vetëm historinë, por edhe ndjenjën dhe atmosferën e kohërave të kaluara. Puna e tyre është teknike dhe artistike, me një estetikë që shpesh ndjehet e avancuar për kohën.
Prezantimi i thjeshtë dhe elegant i ekspozitës krijon një ambient të qetë për reflektim, ndërsa përmbajtja e zgjedhur me kujdes u ofron vizitorëve një përvojë të thellë, vizuale dhe historike. Qoftë nëse jeni adhurues i fotografisë, studiues i historisë shqiptare apo thjesht kurioz për historitë që rrëfehen përmes imazheve.
Dinastia Marubi është një prej trashëgimive më të çmuara të historisë kulturore dhe fotografike të Shqipërisë. Ajo nisi në vitin 1856, kur fotografi italian Pjetër Marubi (Pietro Marubbi) themeloi në Shkodër studion e parë fotografike në rajon, të quajtur “Dritëshkronja” (shkrimtar i dritës). Ai përdorte teknikën e kolodiumit të lëngshëm për të realizuar imazhe të para me ekspozita të gjata.
Pas vdekjes së Pietros, asistenti i tij, Kel Marubi, mori mbiemrin e mjeshtrit në nderin e tij dhe vazhdoi aktivitetin e studios. Ai e pasuroi arkivin me figura të njohura të kohës, si Fishta, Migjeni, Koliqi, Galica, Gjoluli, Curri, Noli dhe Zogu, si dhe me foto nga njerëz të zakonshëm me kostume kombëtare, pamje nga jeta e qytetit dhe e fshatit.
Gegë Marubi ishte fotografi i fundit i dinastisë Marubi dhe një nga mjeshtrat më të shquar të fotografisë shqiptare. Pas studimeve në shkollën e parë të kinematografisë dhe fotografisë në botë, “Lumière & Joungla” në Paris, ai u kthye në Shqipëri në vitin 1927 dhe filloi aktivitetin si fotograf bashkë me të atin, Kel Marubi.