“Jeta dhe Vdekja” është ekspozita vetjake e artistit Faton Kryeziu, e hapur tek Galeria GOCAT dhe e kuruar nga Suzana Varvarica. Koncepti i ekspozitës thellohet në tema të dualitetit të pashmangshëm mes jetës dhe vdekjes që përshkron çdo qenie të gjallë. Në hapësinën e galerisë janë të ekspozuara 27 piktura të ndryshme punuara në vaj. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun nga 10 Prill, 2025 – 25 Maj, 2025.

Prej kohësh përmes figurës dhe simbolikës, artisti synon të trajtojë jetën dhe vdekjen si thelbin e krijimtarisë së tij. Ekspozita është e strukturuar në tre seri të ndryshme, të ndara në tematika që përfaqësojnë vdekjen, lindjen/jetën si dhe një seri me dy portrete.
Të gjitha këto seri shprehen si dukuri sa jetësore dhe filozofike. Tablotë që përfaqësojnë ‘vdekjen’ janë: ‘Burned Land” që paraqet një peizazh natyre që digjet, por me premtimin e ripërtërimit dhe lindje, duke rinisur një cikël natyror nga fillimi; “In Burned Land”, e cila paraqet jetën si një embrion i përjetshëm, që s’vdes kurrë dhe i reziston kohës dhe shuarjes; “Run on Burnt Land”; “Njeriu prej dheu”, e cila vendos në qendër dualitetin e pandashëm të forcave të kundërta, të mirës dhe të keqes, errësirës dhe dritës.
Seria tjetër ciklike që përfaqëson ‘jetën’ përfshijnë tablotë: “Fusha, Kulla, Mrizi i Zanave dhe Gjirokastra”, të cilat gjithashtu trajtojnë temën e jetës dhe përballjen midis dritës dhe errësirës. Simbolika e përdorur tek këto vepra është lehtësisht e kuptueshme. Artisti përpiqet të prekë audiencën përmes historisë së territorit shqiptar. Duke nisur me peizazhin e natyrës së vendit tone, me kullat malësore dhe qytetin e Gjirokastrës (referencë ndaj periudhës mesjetare).
Tablotë me subjekt ‘portreti’, përbëjnë ciklin e fundit të kësaj ekspozite. Njëri nga portretet i përket shkrimtarit Ismail Kadere (1936-2024) dhe tjetri është një autoportret i artistit. Edhe nëpërmjet kësaj serie tregohet se dhe përtej vdekjes fizike ekzistenca e një njeriu të shquar si Kadare vazhdon ‘jeton’ nëpërmjet artistit dhe publikut, një vazhdimësi që nuk njeh fund.
Faton Kryeziu është një piktor dhe artist vizual nga Prizreni, Kosova, i lindur në vitin 1979. Ai e filloi rrugëtimin e tij artistik në vitin 1998, kur regjistroi studimet në Fakultetin e Arteve të Bukura në Prishtinë, në degën e pikturës. Në vitin 2002, ai përfundoi studimet e ciklit të parë, ndërsa në vitet 2002–2004, mbaroi studimet master për pikturë. Kryeziu është njohur për qasjen e tij të veçantë në art, duke shmangur përsëritjen dhe duke kërkuar gjithmonë hulumtim dhe risinë. Ai e sheh pëlhurën e bardhë si një sfidë për të filluar gjithmonë diçka të re. Vepra e Kryeziut janë ekspozuar në shumë vende të botës, përfshirë SHBA, Gjermani, Zvicër, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut. Ai ka shitur mbi 400 vepra arti në koleksione private dhe ka marrë vlerësime të larta për kontributin e tij në artin bashkëkohor.