Me datë 6 dhjetor, 2023, Harabel Contemporary inauguroi “Alkimitë e trupave dhe entiteteve të tjera”, ekspozitë e Iva Lulashit dhe Lek M. Gjeloshit, kuruar nga Harabel në Galerinë NAAN.
Alkimia fillimisht lindi si kompleks i teorive dhe teknikave përmes të cilave shndërrohen metalet në ar, ose elementët natyrorë në elementë të dobishëm për shërimin e trupit. Termi rrjedh nga arabishtja kīmiya’ që ishte emri i njërit prej reagentëve për transformimin e metaleve, i njohur në Perëndim si philosophorum ose guri filozofal.
Gjurmët e kësaj praktike gjenden me kohë në Kinën e lashtë, por grupi i praktikave që ndikuan dhe u zhvilluan më shumë në Perëndim, veçanërisht gjatë shekujve 15 dhe 16, e kishin origjinën në Egjipt në shekullin I pas Krishtit.
Në zhvillimin e saj gjatë shekujve, alkimia është gjithnjë e më shumë e lidhur me botën e misterit dhe mundësinë e zotërimit të forcave të natyrës dhe kozmosit, për të rikrijuar ekuilibrat e humbur dhe për të rivendosur marrëdhënien e duhur midis njeriut dhe natyrës. Në shekujt në vijim, koncepti i alkimisë u fut në një kornizë më të gjerë të marrëdhënieve kozmologjike dhe fetare, si për shkak se alkimisti e vendosi veten në një farë mënyre në të njëjtin nivel me krijuesin, i cili manipulon marrëdhëniet e ndryshme midis gjërave që përbëjnë realitetin, si për çlirimin nga truporja për t’u ngjitur në nivele më të thella të leximit të realitetit. Në fakt, në disa tekste të krishtera ka referime të kërkimit të gurit filozofal, si dhe kërkimit të Krishtit dhe kthimit në parimin krijues.
Parimi që qëndron në themel të teknikave dhe teorive alkimiste është ai i një lënde të parë të përbashkët për të gjithë elementët e realitetit tonë, të gjallë dhe të pajetë, kështu që veprimi alkimik bëhet një riprodhim i procesit origjinal krijues kozmik. Duket sikur ka një lloj simpatie midis elementeve të kozmosit (simpatia, e cila edhe për Plotinin ishte në themelin e krijimit hyjnor), e cila bën të mundur kryerjen e shndërrimeve në elementë individualë që automatikisht kanë pasoja në çdo gjë. Pra, ekziston një korrespodencë midis gjërave, edhe nëse veprohet në nivele të ndryshme në dukje, qenie të gjalla dhe jo të gjalla, elemente të dukshme dhe të padukshme; gjithçka është e lidhur dhe guri filozofal mund të ndryshojë reciprokisht planet e ndryshme të realitetit tonë.
Ideja në themelin e kësaj ekspozite vetjake të dyfishtë qëndron pikërisht në dialogun alkimik të gjendur në nivele të ndryshme, që dy artistët Iva Lulashi dhe Lek M. Gjeloshi vendosin në mënyrë të pavetëdijshme mes tyre.
Veprat e Iva Lulashit, të instaluara në katin përdhesë të galerisë, flasin për trupat dhe marrëdhëniet mes tyre, origjina e tyre qëndron në botën e arkivave jomateriale të filmateve pornografike në internet apo filmave të vjetër të prodhuar gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Në imazhet e filmave pornografikë, trupi i zhveshur ekspozohet pa asnjë hezitim, ndërsa në rastin e filmave të prodhuar gjatë regjimit, trupi i zhveshur nuk ekspozohet kurrë, pra kalojmë nga ekspozimi total në një mohim total.
Në pikturat e Ivës subjektet jetojnë në një lloj pezullimi mes kënaqësisë, shthurjes dhe një misteri që nuk zbulohet kurrë; një moment pezullimi përmes të cilit spektatori futet në një hapësirë-kohë të pacaktuar, që i flet secilit prej nesh, duke na lënë vetëm me obsesionet tona.
Megjithatë, subjekti i pikturave të saj nuk gjendet vetëm në trupa apo portrete, subjekti është edhe diçka tjetër, diçka që kalon nëpër trup për të mbërritur në një moment pothuajse çlirimi nga truporja, një moment shndërrimi i vështrimit tonë, i cili përmes trupit vë në dyshim instinktet e fshehura të botës sonë të brendshme, veset, nevojat tona dhe marrëdhëniet tona me të tjerët.
Duke ngjitur shkallët, sikur të ishim duke bërë një ngjitje të njëmendtë nga bota tokësore drejt një bote efemere, gjejmë veprat e Lek M. Gjeloshit. Menjëherë perceptohet dimensioni alkimist, kërkimi i gurit filozofal, përpjekja e artistit për të na bërë të shohim diçka ndryshe nga ç’është në të vërtetë. Në serinë e fotografive blu, estetika e të cilave është rezultat i rastësisë dhe aftësisë së Lekës për të njohur një vlerë në to, imazhet na çojnë në një botë rurale, e përbërë nga gjeste që përziejnë traditën dhe fenë së bashku, drita blu e të cilave krijon një lloj shkëputjeje të përkohshme nga ngjarjet e imazheve, një hapësirë melankolike. Betlehemi sipas Gjonit[1], megjithatë, na çon në një dimension të paqartë, ku bashkohen edhe një herë elementet e së shenjtës dhe profanes, këtë herë në një atmosferë gri dhe të errët.
Edhe në veprat e Lekës, subjekti shtrihet nën sipërfaqen e asaj që imazhet na tregojnë dhe prek nivele të padukshme që i përkasin qenieve tona njerëzore, pra qenieve të fundme që aspirojnë shpëtimin e përjetshëm të shpirtit nëpërmjet përsëritjes së ushtrimeve rituale.
Nga ana tjetër, që në Greqinë e lashtë termi “shpirt” ka nënkuptuar “frymën e jetës”, parimin që drejton kozmosin, duke u bërë gjithashtu pjesë e fjalorit mjekësor që pozicionon shpirtin në zemër, tru dhe mëlçi, duke i caktuar funksione të ndryshme jetësore. Traditë kjo e ndjekur edhe në Mesjetë dhe në Rilindje, ku shpirti u bë “lëndë tejet e hollë”, pra e padukshme, por e aftë për të kryer funksione të rëndësishme brenda trupit tonë. Dekarti, për shembull, i cakton shpirtit funksionin e mjetit të ndjeshmërisë, që rrjedh brenda sistemit nervor (esprits animaux).
Nëse, pra, sipas të lashtëve, shpirti kalonte nëpër trupin tonë, mund të kuptojmë se si ky kalim midis niveleve të ndryshme, të kundërta dialektikisht me njëri-tjetrin si trup dhe shpirt, material dhe jomaterial, është në realitet i pandashëm. Një pasazh që është në vetvete një alkimi midis materiales dhe jomateriales, midis asaj që shohim dhe asaj që është e padukshme në perceptimin tonë, midis trupave dhe objekteve që formojnë imazhin tonë të realitetit në kërkimin e vazhdueshëm të procesit krijues origjinal, qoftë ky një akt fizik apo një akt mistik.