Më 7 Shtator, 2023, Harabel Contemporary inauguroi ekspozitën “E gjithë drita që nuk shohim” me veprat e piktorit të njohur shqiptar, Ali Oseku, në hapësirën e ekspozimit të Harabel “NAAN Gallery”.

“Bukuria gjendet pothuajse në çdo gjë”, thoshte gjyshja ime. Por duhet të jesh i vëmendshëm, duhet të vështrosh dhe jo vetëm të shikosh.

E shpesh do e gjesh tek qëndron heshtur fare pranë teje, çdo ditë, çdo natë, në përsëritje të përjetshme.

Natyra, qiejt, pemët, fshati i vogël që nga larg duket gjithmonë i paqtë, ndryshimi i stinëve, dita që i lë vendin natës. Nata. Pikërisht aty.

Dhe nëse mund ta shohësh, nuk ka nevojë të jesh romantik për ta kuptuar, nuk ka nevojë ta përshkruash me fjalë të mëdha; bukuria është e qartë, e vërtetë dhe e pagabueshme, nuk kërkon vëmendje, nuk ka nevojë të vërtetojë asgjë. Dhe shpesh është e thjeshtë, siç është bukuria e gjërave të zakonshme.

Dhe pastaj është ajo bukuria e heshtur dhe e pashpjegueshme që vetëm pak njerëz zotërojnë, lloji i bukurisë së cilës nuk i vendos dot një emër.

Unë e quaj Dritë.

Dhe disa kanë më shumë prej saj.

Dhe disa të tjerë e shquajnë më mirë. Në lëvizjet e gjetheve. Në fjalët e një poeti. Në tingullin e natës. Tek njerëzit. Te ne.

Ali Oseku ka këtë aftësi të rrallë: ai e sheh dritën.

Kur shikon qiejt, kur sheh pemët që lëvizin me erën, kur perëndon dielli. Në sytë e gruas së tij ose në gjestet e saj të përditshme të dashurisë. Ai madje e sheh bukurinë edhe në ditët më të errëta të jetës së tij. Në anën tjetër të murit të një burgu.

Në dhimbje.

Në heshtje.

Në atë që është e thjeshtë.

Në atë që është e zakonshme.

Në atë që përsëritet që në fillim të kohës.

Dhe pastaj ai e pikturon atë. Me të gjitha ngjyrat e mundshme që sytë tanë mund të shohin.

Nuk ka nevojë për një emër, nuk ka nevojë për një shpjegim.

Dhe më pas, përmes pikturës, edhe ne arrijmë ta shquajmë dritën.

Tekst kuratorial nga Ajola Xoxa