Më 12 mars, në orën 18:00, HARABEL inaguroi “at the edge of everything we are” (në skajin e gjithçkaje jemi), një ekspozitë nga Stefano Romano tek NAAN Gallery.
Dialogët e Stefano Romanos me të paprekshmen
Stefano Romano, një artist bashkëkohor që në qendër të punës së tij ka eksplorimin e detajuar të kujtesës, identitetit dhe kohës, përmes një qasjeje shumëdimensionale ndaj artit, ku çdo pjesë shërben si një kanal komunikues ndërmjet së kaluarës dhe të tashmes, të vetjakes dhe të universales, na fton të kryejmë një udhëtim të parehatshëm drejt të paqartës.
Përmes “Në skajin e gjithçkaje jemi” ne udhëtojmë mes peizazheve kohëshkurtra të imagjinatës së Romanos, ku kujtesa dhe materia bashkohen në një valle delikate të krijimit dhe shpërbërjes.
Romano, një artist i mediumeve të ndryshme të krijimit, trajton ekzistencën përmes çka është më e paprekshme: koha, kujtesa, emocioni…, e që përmes alkimisë së tij artistike i hedh në botën tonë të prekshme.
Kjo ekspozitë, e kuruar duke e trajtuar me vëmendje marrëdhënien mes përvojave të përbashkëta njerëzore dhe perceptimeve tona kohëshkurtra, shpaloset si të ishte një seri dialogësh. Secila nga veprat nuk është thjesht një objekt për t’u parë, por është një bisedë në të cilën je i ftuar të marrësh pjesë.
Kërkimi i Romanos na detyron të peshojmë kujtimet, teksturën e kohës dhe ngjyrat e emocioneve, por ama sipas formës që ato marrin në botën fizike.
Puna e Romanos shërben si një far udhërrëfyes, që na drejton mes rrëfimeve komplekse të historive personale dhe kolektive. Veprat e tij janë të mbushura me një ndjesi përkatësie: me rrënjë në kontekste specifike kulturore dhe historike, por që njëkohësisht trajtojnë temat universale të identitetit, përkatësisë dhe transformimit. Në këtë mënyrë, Romano e kthen rolin e artistit në një pasqyrë: si një medium përmes të cilit forcat e padukshme që formëzojnë jetët tona bëhen të dukshme dhe të prekshme.
“Në skajin e gjithçkaje jemi” është më shumë se një ekspozitë; është një udhëtim që fton shikuesin të hyjë në botën e Romanos, një botë ku kufijtë mes vetes dhe tjetrit, të kaluarës dhe të tashmes, të dukshmes dhe të padukshmes, bëhen të paqartë. Ndërsa lundrojmë këtë hapësirë ndërmjetëse, ne ftohemi të reflektojmë mbi rrëfimet e jetës sonë, çastet tona të ndërveprimit me të përtejnatyrshmen.
Kjo ekspozitë është dëshmia e Romanos për fuqinë që ka arti për të tejkaluar materialen, për të komunikuar përtej kufijve të gjuhës dhe kulturës, dhe për të na lidhur më thellë me botën dhe me njëri-tjetrin. Përmes lenteve të Stefano Romanos, na ofrohet një vështrim në dimensionet e thella dhe shpesh të marra si të mirëqen të ekzistencës sonë, duke na shtyrë të rivlerësojmë marrëdhënien tonë me çka shohim si të përkohshme dhe të parëndësishme, por që, në të vërtetë, çdo ditë, i jep formë jetës sonë.
Ajola Xoxa