Me 3 qershor, 2023, me rastin e Javës Italiane, Ambasada Italiane në Shqipëri në bashkëpunim me Harabel Contemporary prezantuan “Centosessantuno anni”, një takim te ish-Konsullata Italiane e Shkodrës si një hapësirë për artin dhe kulturën.
Gjatë këtij eventi, publiku pati mundësinë të vizitonte dy ekspozita të ndryshme:
“Lule e Lot / Seeds” me veprat e artistit Fatlum Doçi, kuruar nga Ajola Xoxa.
Instalacioni “Lule e Lot” është një vepër që përbëhet nga një seri objektesh apo skulpturash të realizuara nga artisti me materiale me të cilat zakonisht prodhohen bizhuteri apo elementë zbukurues. Këto elementë të realizuar prej artistit në forma objektesh të stilizuara me motive thuajse floreale qëndrojnë si një punë e vetme. Materialet që kryesisht përdoren prej artizanëve siç janë: argjendi, bakri, gurët natyral, rezina etj., vijnë në këtë punë të sjella ndryshe nga artisti, në forma të çliruara prej funksionit të tyre të zakonshëm.
“Seeds” është një instalacion i cili gërsheton lëndën natyrore me pajisjet industriale, krijuar me kunguj, degë shelgu, tuba hidraulikë dhe llamba. Instalacioni krijon përshtypjen e një bimësie të çuditshme, të stërmadhe dhe zvarranike (degëzime, lakime, stërzgjatje dhe koka plot dritë) të përmasave të ndryshme që zgjatohen për lart, duke krijuar ndjesinë e kanosjes – përkundër ndjesisë që do të duhej të shkaktonte ana kuptimore e emërtesës së krijimit, “Seeds” (Farat).
Fatlum Doçi (1991, Shkodër, Shqipëri) është një artist pamor që jeton dhe punon në Shkodër. Ai studioi për arte multimediale në Universitetin e Arteve në Tiranë, ku u diplomua në vitin 2015. Që atëherë, ai ka zhvilluar një grup punësh që përfshin pikturën, vizatimin, akuarelin, skulpturën, videon, instalacionet, bizhuteritë dhe artin e kaligrafisë. Pavarësisht nga mediumi, Doçi e përfytyron procesin e tij krijues si një largim nga e zakonshmja dhe një udhëtim të brendshëm, për të përjetuar atë që duket e dukshme për syrin e njeriut dhe, gjithashtu, atë që nuk e bën.
“Interlace” me punime nga Atelieja e Tekstilit dhe Modës, Universiteti i Arteve të Bukura Tiranë, kuruar nga Najada Hamza.
Grupi i punëve është një rrugëtim 35-vjeçar i studentëve të programit të tekstilit e modës. Mësimi i historisë dhe teknikave të endjes është pjesë e rëndësishme e programit të artit tekstil dhe të formimit të artistit të fibrave. Punët e studentëve ngrihen mbi tematika të ndryshme, ku ideja dhe mediumi lidhen konceptualisht.Veprat e ekspozuara janë skulptura të buta, dy dhe tre-dimensionale. Veprat janë bërë prej materialesh të pazakonta, duke dalë nga formati klasik i mediumit.
Najada Hamza (1966, Tiranë, Shqipëri) nga viti 1988 e në vazhdim, profesoreshë e artit në “Akademinë e Arteve të Bukura” në Tiranë. Në vitin 1994, Najada Hamza u bë drejtuese e Ateliesë së Tekstilit dhe Modës, në Fakultetin e Arteve Pamore, Tiranë. Ka marrë pjesë në ekspozita të shumta të përzgjedhura kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ky aktivitet u përmbyll me një program muzikor, me pjesëmarrjen e:
Jusuf Beshiri – Mbrëmje muzikore baroke me një larmi ritmesh Napoletane nga Antonio Valente deri te Domenico Scarlatti, për të vijuar më pas në “Las Follias” spanjolle; e më pas Vlashent Sata & Band.