“Substancë” mban titullin ekspozita e hapur në Galerinë FAB, në nder të një vjetorit të vdjekjes së artistit Ali Oseku. Veprat e artistit u mbajtën të ekspozuara për vizitorët nga 30 Prill deri më 10 Maj 2025.

...

Ekspozita e kuruar nga Najada Hamza, është një homazh poetik për artistin Ali Oseku, duke kapur thelbin e trashëgimisë së tij intelektuale dhe përkushtimin e tij të përjetshëm ndaj substancës së artit. Ekspozita reflekton mbi përqendrimin e palëkundur të Osekut te thelbësorja përpara sipërfaqësorës, te kuptimi përpara formës, dhe te vetë procesi krijues. Artisti shprehej: “Kur punon gjatë ndjen se fillon dhe zotëron lëndën, lënda vetë,dhe materiali piktorik bëhet mjaltë, merr vlerë, bëhet ar, bëhet SUBSTANCË…”, ekspozita ndjek  këtë ide si një udhërrëfyes për të kuptuar veprat e tij.

Kjo nuk është një ekspozitë retrospektive në kuptimin tradicional, por një hapësirë reflektimi dhe kujtese. Ajo na fton të përballemi me mënyrën sesi materiali, nëpërmjet ndjeshmërisë dhe përkushtimit, shndërrohet në kuptim. 

Qasja kuratoriale ndërthur kujtesën personale me mendimin filozofik. Ekspozita përmban punë të viteve të fundit, por në qendër rë dhomës kryesore te galerisë ndodhet një punim i hershëm i artistit, tema e tij e diplomës, e gjetur rastësisht në oborrin e Universitetit të Arteve. Vepra tejkalon subjektin e pikturuar dhe tregon gjithashtu ëndrrat e artistit, të cilat u “përthyen” nga periudha e errët e komunizmit. Megjithatë, ndonëse të ndara në kohë, të gjithë veprat e ekspozuara bashkohen përmes një elementi që mbetet i pandryshuar: ngjyrat karakteristike të Osekut që shërbejnë si ura lidhëse mes dy botëve, dy kohërave, dhe një fryme të vetme artistike.

 

Ali Oseku (lindur në 1944) në Tiranë, Shqipëri. Në vitet 1959 – 1963 ndoqi liceun artistik “Jordan Misja”. Në vitin 1969, Ali Oseku diplomohet për pikturë në “Akademinë e Arteve të Bukura”, Tiranë. Nga viti 1970 deri në 1973 u bë skenograf i “Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit”, Tiranë. Ai u burgos për tre vjet gjatë diktaturës në vitet 1975 – 1979.
U dënua si një modernist që kishte rënë nën magjinë e keqe të Pikasos, Shagallit, Pollokut dhe Salvador Dalisë. Në vitin 1987, Oseku pikturon portretin 8 me 10 të Enver Hoxhës. Në vitet 1991 – 1998, ishte kurator në “Galerinë Kombëtare të Arteve”. Nga viti 1998 deri në 2014, u bë Pedagog i Asociuar dhe Shef i Departamentit të Grafikës në “Akademinë e Arteve të Bukura”, Tiranë. Në vitin 2014 dhe në vazhdim, piktor në krijimtari të lirë.