Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” mirëpret në ambientet e tij fotografen Jutta Benzenberg me ekspozitën vetjake: Biografi Shqiptare: Nga Tani më 1991. Kjo ekspozitë e kuruar nga Kim Knoppers do të qëndrojë e hapur për publikun përgjatë datave 8 korrik deri më 6 nëntor, 2022, Shkodër.

Jutta Benzenberg filloi ciklin e saj fotografik në territorin e Shqipërisë që prej periudhës së rënies së komunizmit. Fotografja donte të ishte e pranishme në atë situatë kaotike të ndodhur asokohe, për të fotografuar përballjen e njerëzve me ndryshimin që po u kanosej. Shkrepjet e saj reflektojnë atë periudhë bardh e zi, kaotike, dhe duke u fokusuar në impresionin që merrte prej tyre, Benzenberg botoi një libër të titulluar Mbijetesë Shqiptare (1993), (Albanian Überleben).
Në fotografitë e saj, artistja nuk i lë vend fjalës, fokusohet më tepër tek ndjeshmëria e imazhit dhe emocionit që ajo ndien kur ndodhet përballë situatave apo njerëzve që fotografon. Benzenberg, në punët e saj është gjithnjë në kërkim të njerëzores, të gjendjes shpirtërore të shqiptarëve dhe gjithnjë në kërkim për t’iu përgjigjur pyetjeve me anë të imazhit: “Çfarë do të thotë të jesh shqiptar? Me çfarë sfidash duhet të përballet një burrë a një grua në jetët e tyre? Si ndikojnë rrethanat e kësaj toke në identitetin e njerëzve të saj?”.
Ekspozita të fton me një cikël fotografish duke filluar nga e tashmja, të cilat janë të ekspozuara në katin përdhes dhe vijon më pas në katin e parë duke e kthyer shikuesin prapa në një kohë të largët që ndihet ende e pranishme përmes imazhesh.
Titujt: Unë Kam Një Ëndërr (2022) ; Cirku i Tiranës (2009); Partizanët (2009 – 2013); Qamile (2009); Dhomat e Diktaturës (2022); Duke Kërkuar Qetësinë (2008); 30 Ditë (2013); 21 Janari dhe Pasojat e asaj ngjarjeje (2011); Mbroni Fëmijët (2002); Vajzë nga Durrësi dhe Grua nga Shkodra (2009); Nëntoka (2010); Feniksi (2007); Dhe pyetjet mbeten (2013), janë të ekspozuar bashkë me ciklin e tyre fotografik në muret e hapësirës së dedikuar për fotografen. Gjithashtu janë shfaqur dhe disa prej imazheve të botuara prej librave të saj në hapësirën e Video Longue, duke cituar: Mbijetesë Shqiptare (1991 -1993); Bukuri e Rëndë (2004); Zoti në Shqipëri (2015-2019); Me të Shkuarën, Përpara (2011).
Biografi Shqiptare: Nga Tani më 1991 ndërton biografinë e shqiptarëve përmes objektivit të fotografes, por njëkohësisht pasqyron dhe jetën e saj personale e profesionale të ndërtuar në Shqipëri për tridhjetë vite me radhë.
*Jutta Benzenberg jeton dhe punon mes Mynihut dhe Tiranës. Jutta Benzenberg studioi fotografinë në Staatliche Fachakademie für Fotodesign Mynih (DE) dhe më pas punoi si fotografe për revista dhe teatro të ndryshme. Jutta Benzenberg ia del mbanë të përshkruajë njerëzit në të gjithë individualitetin dhe veçoritë e tyre, ndërkohë që i fokuson ata si pjesëmarrës në ngjarje të mëdha, të ngarkuara emocionalisht. Në vitin 1991 ajo udhëtoi për herë të parë me bashkëshortin e saj, shkrimtarin shqiptar Ardian Klosi (1957-2012) nëpër Shqipëri për të shkrepur fotografi të atyre kohërave të trazuara, për të fotografuar portrete dhe peizazhe shqiptare. Pas disa udhëtimesh në Shqipëri, Jutta Benzenberg dhe Ardian Klosi botuan katër libra: Mbijetesë Shqiptare (1991 -1993); Bukuri e Rëndë (2004); Zoti në Shqipëri (2015-2019); Me të Shkuarën, Përpara (2011). Që atëherë Jutta Benzenberg ka pasur shumë ekspozita me tematika shqiptare në qytete të ndryshme të Gjermanisë, Francës, Austrisë, Italisë, Zvicrës, Shqipërisë, Kosovës, Rumanisë, Greqisë, Malit të Zi, Serbisë dhe SHBA. Që nga viti 2018 fotografja është anëtare e Agency Focus në Gjermani.