Galeria Zeta hap më 01. 06. 2018 deri më 20. 06. 2018 ekspozitën e finalistëve të çmimit “Ardhje”, i cili jepet për herë të dhjetë tashmë. Këtë vit juria ndërkombëtare përbëhet nga Barnabás Bencsik, Anthony Elms dhe Alketa Ramaj. Ekspozita përfshin artistët: Blerina Muça, Fatlum Doçi, Sokol Peçi dhe Remijon Pronja, i cili është dhe fituesi i këtij viti. (Fitues i një përvoje dymujore në programin e rezidencave në Residency Unlimited, në Nju-Jork, si dhe i mundësisë së një ekspozite personale në Qendrën Zeta.)

...

Remijon Pronja

Videoja “Au Die Freude, Nushid Alfarah” (2016) është filmuar përgjatë një ore mësimore në shkollën “Medrese” në Tiranë, në një klasë të gjinisë femërore ku vajzat, të drejtuara nga mësuesi i muzikës, këndojnë himnin e Bashkimit Europian në gjuhën arabe. Sipas tekstit kuratorial, kjo video nxitet prej përvojës së autorit si nxënës: kur himni i BE-së u përfshi në programin mësimor.

Kundërshtia në rastin e shkollës së “Medresesë”, nëse mund të shprehemi kështu, qëndron në përplasjen midis të qenit një shkollë shqiptare (për programin mësimor që ndjek) dhe të qenit një shkollë fetare (në këtë rast himni i BE-së është përkthyer në gjuhën arabe). Sa mund të ndikojë politika përmes kulturës? Ky është këndvështrimi i videos. Këndvështrim i cili risjell në vëmendje vendndodhjen jo vetëm gjeografike (por shumëdrejtimëshe) të Shqipërisë midis Perëndimit dhe Lindjes.

Blerina Muça

Artistja Blerina Muça pikturon (në akrilik dhe akuarel) të birin në një sërë tablosh emërtuar “Roi, diku në shtëpi” (2015-2018). Pikturat e saj karakterizohen nga sfondi gri, fëmija i saj në qendër, si dhe figura dytësore herë pas here. Ngjyrat e zgjedhura janë të pakta, por ajo që spikat është e kuqja: një beze ngjitëse me të cilën fëmija mbulon herë njërën shqisë, herë tjetrën, me raste gjithë portretin; diku-diku e gris. Shndërruar në një cikël tablosh, krijimet zgjojnë jo vetëm shqetësim individual prindëror, por edhe thirrje për vëmendje ndaj dukurive që kanë të bëjnë me këtë grupmoshë, me këto marrëdhënie.

Fatlum Doçi

“Farat” (2017-2018), një instalacion i cili gërsheton lëndën natyrore me pajisjet industriale, krijuar me kunguj, degë shelgu, tuba hidraulikë dhe llamba, është punimi me të cilin merr pjesë në “Ardhje” artisti Fatlum Doçi. Instalacioni krijon përshtypjen e një bimësie të çuditshme, të stërmadhe dhe zvarranike (degëzime, lakime, stërzgjatje dhe koka plot dritë) të përmasave të ndryshme që zgjatohen për lart, duke krijuar ndjesinë e kanosjes – përkundër ndjesisë që do të duhej të shkaktonte ana kuptimore e emërtesës së krijimit, “Farat”.

Sokol Peçi

“Mëmëdheu, një pasqyrë për të pështyrë” (2012), fotografi e printuar në letër e cila pasqyron hartën e Shqipërisë nga krijimi i sekrecioneve të gojës njerëzore mbi një sfond të ngjeshur dheu. Pavarësisht se atdheu, në thelb, është secili prej nesh, nga këndvështrimi kuratorial “atdheu (përbën) një subjekt për t’u urryer”…

________________

Çmimi “Ardhje” është nismë e Wendy Luers-it dhe Fondacionit për Zhvillimin e Shoqërisë Civile në vitin 1990 edhe organizohet në bashkëpunim me rrjetin YVAA (Young Visual Artists Award, Residency Unlimited, Nju-Jork) dhe Trust Mutual Understaning, Nju-Jork.

Çmimi “Ardhje” është një çmim ndërkombëtar për artistët pamorë bashkëkohorë shqiptarë deri në moshën 35 vjeç.

* Remijon Pronja ka lindur në vitin 1984, në Tiranë. Studioi në Itali dhe mori MA shkencor në pikturë në Universitetin e Breras në Milano dhe MA shkencor në departamentin e kërkimeve për artin bashkëkohor në Universitetin e Breras në Milano. Realizues i 3 ekspozitave personale, si dhe pjesëmarrës në një sërë ekspozitash të përbashkëta brenda dhe jashtë Shqipërisë.

* Blerina Muça ka lindur në vitin 1985 në Fier. Është diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë. Pjesëmarrëse në një sërë ekspozitash, përfshirë edhe ekspozita të zhvilluara në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

* Fatlum Doçi ka lindur në vitin 1991 në Shkodër. Është diplomuar në Atelienë e Multimedias në Universitetin e Arteve në Tiranë. Pjesëmarrës në një sërë ekspozitash brenda dhe jashtë Shqipërisë.

* Sokol Peçi ka lindur në vitin 1984, në Tiranë. Është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Venecia dhe mori MA në Akademinë e Arteve të Bukura në Bolonjë. Pjesëmarrës në ekspozita brenda dhe jashtë Shqipërisë.