“Të ndjesh pamjen” është ekspozita e hapur së fundmi në Galerinë FAB, e artistit Besim Tula, e inaguruar në nder të 75 vjetorit të tij të lindjes. Ekspozita e kuruar nga e bija e artistit, Era Tula, ishte e hapur për publikun nga 16 Janar, 2025-31 Janar, 2025.

Ekspozita ka një seleksion të veprave artistike të 30 viteve të fundit të artistit, dhe ato janë shpërndarë në të treja dhomat e Galerisë FAB. Përmes kanavacave me ngjyra vibrante, Tula eksploron eksperiencën njerëzore dhe shkëputjen e moralit të shoqërisë moderne ndër tematikave të tjera sociale që trajton. Ekspozita nis me veprën “Vdekja e Nënës”, pikturë që sipas kritikut të vonë të artit, Gëzim Qendro, shërbeu simbolikisht si një paralajmërim për përfundimit të periudhës së Realizmit Socialist. Nëpërmjet një përshkrimi realist, por emocionalisht të ngarkuar të vdekjes, artisti e zhvendos fokusin nga një epokë arti e rrëfimeve ideologjike në humbjen emocionale dhe intime të jetës njerëzore. Piktura e fundit e ekspozuar, “Vrasësit me Pagesë” është gjithashtu një përshkrim i vdekjes, por në kontrast total me veprën e parë të artistit. Piktura përmban shkrime që sugjerojnë se vrasja është ekzekutuar nga një vrasës me pagesë. Nëpërmjet veprës artisti kritikon një botë ku jeta njerëzore shihet e objektivizuar dhe vrasja shihet si një transaksion. Artisti pozicionohet si personi në pikturë, duke e bërë audiencën të simpatizohet me të dhe duke përforcuar idenë se viktimat nuk janë vetëm statistika, por njerëz realë.
E gjithë ekspozita është një homazh për të gjithë karrierën e artistit që fton publikun të shohë çdo fazë të rrugëtimit të tij krijues, megjithëse temat e serive të pikturave mund të jenë të ndryshme, ngjyrat e gjalla dhe stili i dallueshëm i artistit u japin atyre një ndjesi kohezive.
Besim Tula (1949–2020) ishte një prej piktorëve më të shquar të artit bashkëkohor shqiptar, i njohur për guximin e tij artistik dhe angazhimin ndaj realiteteve shoqërore. Tula lindi në Shkodër dhe u formua si piktor në Fakultetin e Arteve të Bukura në Tiranë. Ai u bë i njohur për përdorimin e ngjyrave të forta dhe për trajtimin e temave sociale dhe politike në veprat e tij. Krijimtaria e tij shquhet për një stil ekspresiv dhe një qasje të thellë ndaj realitetit shqiptar