Muzeu Historik Kombëtar çel në ambientet e hollit të tij ekspozitën Italiae. Nga Vëllezërit Alinari tek mjeshtërit e fotografisë bashkëkohore, në të cilën pasqyrohet Italia përmes imazheve / fotografive të ndara në tre grupime: Peizazhe, Vepra dhe Portrete. Ekspozita e kuruar nga Rita Scartoni dhe Luca Criscenti, u mbajt e hapur për publikun përgjatë datave 2 – 25 shtator, 2022.

...

Italiae. Nga vëllezërit Alinari tek mjeshtrat e fotografisë bashkëkohore rrëfen përmes imazheve historinë e një shekulli e gjysmë të dokumentuar nga mjeshtërit e fotografisë italiane, që prej Vëllezërve Alinari duke vijuar deri tek artistët bashkëkohorë si Emiliano Mancuso, Luigi Busolati, Andrea Frazzeta etj. Ekspozita ka si qëllim të krijojë një dialog mes fotografive që zënë fill nga talbotikja deri tek fotografia bashkëkohore. Përmes fotografive të mbi 75 fotografëve, pasqyrohet në kohë – 160 vite, një rrugëtim gjeografik, artistik dhe kulturor që dokumenton një larmishmëri tematikash të shumanshme mbi Italinë.

Fotografitë e ekspozuara ndahen në tre kënde që i dedikohen: Peizazhit, Veprave dhe Portreteve dhe secila prej tyre ka tre nëndarje të emëruara sipas përmbajtjes së imazheve.

Këndi i Peizazhit ndërthur pamje nga natyra, arkitektura dhe njeriu, teksa një pjesë e tyre shfaqen nën tonalitete të zbehta monokrom, ndërsa pjesa tjetër me ngjyra të theksuara piktoreske. Këto fotografi konceptualisht ndahen në tre pjesë: Tek Hapësira të natyrës vërehet natyra e peizazhit dhe evoluimi i tij në kohë.  Peizazhi i dizenjuar fokusohet tek marrëdhënia e njeriut me peizazhin rural, të realizuara në homazh të disa prej mjeshtërve të fotografisë italiane. Ndërsa, Hapësira të njeriut përqendrohet tek raporti i njerëzve me hapësirën (qoftë ky qytet apo fshat) duke vënë theksin tek elementi ‘kohë’, bazuar te fotografitë e realizuara prej fotografëve të hershëm, duke u riinterpretuar më pas nga fotografë bashkëkohorë. Këto fotografi janë realizuar nga: Vëllezërit Alinari, Massimo Siragusa, Henri Chouanard, Mario Giacomelli, Franco Fontana, Alex Majoli, Andrea Frazzetta, Vittorio Alinari, Stefano De Luigi, Gabriele Basilico, Michele Vestrini, Stabilimento Anderson, Vincenzo Balocchi, Luigi Ghirri, Gianni Berengo Gardin, Vittorio Sella, Giovanni Crupi, Fosco Maraini, Stabilimento Anderson.

Tek Veprat, fotografitë kanë në fokus krijimet artistike dhe njerëzit të përfshirë në ambiente pune për të evidentuar krijimtarinë dhe zhvillimin e saj. Trajtohet në tre grupime duke filluar nga  Dija e tokës, në të cilën vërehen hapësirat e fokusuara të sektorit agro-ushqimor. Dija e duarve, vijon me krijimtarinë e artistëve që prej krijimit të skulpturave të mermerta, deri tek dija e shoqëruar me anë të teknologjisë si ndihmëse për realizimin e fotografisë së portreteve në studio, më pas duke u zgjeruar në tematika më të gjera. Ndërsa, Ushtrimi i së ardhmes përqendrohet tek makineritë e prodhimit, si rol i rëndësishëm në shoqëri dhe mirëqenie. Hapësirat e mëdha  të dedikuara këtyre paisjeve, janë të fotografuara në praninë e njërëzve në habitatin e ambientit të punës. Fotografuar nga: Fosco Maraini, Giorgio Sommer, Vëllezërit Alinari, Bruno Stefani, Ferdinando Scianna, Alex Majoli, Mauro Puccini, Maurizio Galimberti, Bruno Zanzottera, Alessandro Gandolfi, Otto Zencker, Wanda Wulz, Fosco Maraini, Luigi Bussolati, Italo Zannier, Massimo Siragusa, Studio Betti Borra, Giorgio Benvenuti, Lorenzo Maccotta.

Ekspozita përmbyllet me këndin e dedikuar Portretit. Portretet dhe qenia njerëzore kanë qenë gjithnjë prezente në rrugëtimin e artit të fotografisë. Figura dhe portrete, paqyrojnë identitetin e shoqërisë italiane që prej fotografimit të artefakteve klasike skulpturore të periudhës së Rilindjes, duke pasuar te Studioja fotografike e Vëllezërve Alinari, nga portretet që i përkasin shekullit XIX deri tek autoportretet e Cristina Nunez. Ndërsa tek Një shekull jetë, fotografia del përtej studios, duke ndërlidhur portretin me jetën e përditshme dhe sociale. Së fundmi, Kronika Dashurie përfshin raportet e dashurisë njerëzore deri tek madhështia e dashurisë prindërore. Fotografitë e Portreteve janë të realizuara nga: Vëllezërit Alinari, Stabilimento Brogi, Cristina Nunez, Andrea Frazzetta, Emiliano Mancuso, Carlo Mollino, Vincenzo Balocchi, Gian Paolo Barbieri, Francesco Paolo Michetti, Emiliano Mancuso, Cesare Colombo, Nino Migliori, Wilhelm Von Gloeden, Piergiorgio Branzi, Luigi Leoni, Mario Spada.