Galeria FAB ekspozon në ambientin e saj veprat e pashfaqura më parë të artistit të ndjerë Arben Bajo. Mythodea mban titullin ekspozita vetjake e Bajos e kuruar nga Ermir Hoxha dhe Ardian Kapo. Ekspozita që numëron mbi 20 vepra do të mbahet e hapur nga data 13 tetor deri më 12 nëntor, 2022.
Mythodea është një projekt i shtrirë në kohë, i cili fillimisht i dedikohet formës klasike të mitologjisë, duke ndërtuar një seri veprash që i përkisnin botës antike, ndërsa në projektin e fundit që Bajo kishte realizuar, përqendrohet tek personazhet mitik të mitologjisë Greke. Të gjithë konceptin e krijimtarisë së tij, së fundmi Bajo e kishte ndërtuar si një sintezë mbi veten, ku në secilin prej heronjve të mitologjisë do të na shfaqej vetë ai. Bajo i jep formë jo të zakontë këtyre skulpturave, duke tjetërsuar dhe transformuar përbindëshat mitik në një trup njerëzor, që i bën ata më të prekshëm, më të gjallë nën formën dhe shëmbëlltyrën e tij.
Që në prag të galerisë, Mythodea na fton në një oaz mitologjik me praninë e finesës së një gruaje nudo drejtuar kah veprës Rënia e Pegasos të shtrirë vertikalisht përgjatë sallës qendrore të galerisë. Gruaja duket sikur të fton në ngjarjen e ndodhur, por njëkohësisht qëndron e shkëputur në habitatin e saj, teksa Pegaso ose ndryshe Kali magjik, shfaqet i shrirë përmbys, me këmbë përpjetë dhe flatrat e shtrira mbi dysheme. Skulptura monumentale e rënies së Pegasos përmbyllet me një kavalet skulpture në bojë të kuqe, që në këtë rast na shfaqet më shumë si subjekt, larg funksionit të tij si objekt pune: prapa tij, janë printuar në mur fjalë të shkruara prej George Gordon Byron (përkthyer nga Genti Gjikola), ku duket se fjala të fton në ngjarje.
Hapësira e majtë e galerisë vijon me personazhe të tjerë mitik, në njërën prej tyre Bajo zgjedh të sjellë momentin kur Uliksi del nga shpella e Polifemit, nën dashin e madh që printe kopenë. Skulptura e instaluar në mur shfaq personazhin e Uliksit të transformuar tashmë në tiparet e vetë artistit ku prej kraharorit të tij zgjatohet koka e dashit kryeneç. Në veprën tjetër të vendosur mbi pod, shfaqet sërish artisti tërësisht i zhveshur dhe veshur njëkohësisht nën petkun e përbindëshit antik, teksa mban brirët në dorë, afruar lehtësisht drejt kokës së tij, si personifikim i kurorës mbretërore. Vepra pasuese ngrin mbi pod të bardhë një tjetër përbindësh që Bajo e realizon gjithnjë duke iu referuar vetvetes. Me brinjë mbi kokë, figura qëndron në këmbë me një plastikë të theksuar që tërheq mbi supe trupin e një vajze të rënë zvarrë. Skulptura e derdhur në bronz simbolizon krijesën që ushqehej me vasha dhe djem të rinj, të mbyllur brenda një labirinti.
Ndërsa hapësira në të djathtë na fton me personazhin legjendar të pajisur me aftësi të veçanta muzikore, Orfeu. Orfeun, Bajo e paraqet të ulur këmbëkryq mbi shkallë, të brishtë e të pozicionuar, me bimë dekorative në formë kurore mbi kokë dhe me lire në dorë gati për të lëshuar tingujt e tij. Pjesa e mbetur e hapësirës i dedikohet skulpturave të realizuara më herët në dimensione më të vogla dhe mesatare, të derdhura në allçi e herë në bronz, ku figura e demit dhe kuajve duket se zënë hapësirë në të gjithë krijimet e artistit.
*Arben Bajo, lindur në vitin 1967 në Gjirokastër. Bajo u diplomua për Skulpturë në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, në vitin 1992. Ai jetoi dhe punoi në Athinë deri në vitin 2000, duke marrë pjesë në shumë ekspozita ndërkombëtare. Që nga viti 2006, Arben Bajo jetoi në Tiranë dhe ushtroi profesionin si profesor i Skulpturës në Universitetin e Arteve, Tiranë. Bajo ka realizuar disa ekspozita personale brenda dhe jashtë vendit, ndër të cilat janë: Skulpturë, Universiteti i Arteve, Tiranë (2015); Portret, Universiteti i Arteve (2011); Pasion, Athinë, Greqi (2008); Koha e Humbur, Galeria Kombëtare e Artit, Tiranë (2007); Mitet dhe Fytyrat, Galeria Kombëtare e Artit, Tiranë (2006); Shtator, Athinë, Greqi (2005), gjithashtu një ndër të parat ekspozita personale të realizuar në vitin 1993 tek Muzeu Kombëtar i Tiranës. Gjithashtu Bajo ka realizuar shtatoren e At Zef Pellumbit, Asim Zenelit, Vaçe Zelës në Lushnjë.