Kënaqësitë emërohet ekspozita e çelur së fundmi në ambientet e Bazament Art Space duke përfshirë krijimtarinë e një grupi artistësh, si: Shpëtim Kërçova, Idlir Koka, Vangjush Vëllahu, Iva Lulashi, Greta Pllana, Valdrin Thaqi, Brilant Milazimi dhe Irgin Sena. E kuruar nga Damiano de Chirico, ekspozita do të mbahet e hapur për vizitorët nga data 12 tetor deri në datën 4 dhjetor, 2022.

...

Në të gjithë hapësirën e Bazament ekspozohen krijimet e artistëve të realizuara kryesisht në pikturë, fotografi dhe instalacion. Veprat cekin tërësinë e fjalës kënaqësi duke përfshirë situata që i përkasin kuptimësisë së gjerë të saj, qoftë në përfshirjen e kënaqësisë si posedim/pushtet, duke i lënë shteg një lloj misticiteti në trajtim, qoftë situatave të përfshira në kënaqësinë fizike apo atyre në trajtën e teknikës së imazhit. Koncepti i tyre trajtohet si një gjuhë shprehëse nëpërmjet imazhit, si një kundërvënie kundrejt moralit kufizues duke e zgjeruar interpretimin e saj në një botëkuptim gjithëpërfshirës.

Hapësira e parë e ekspozitës na fton me një instalacion të Irgin Senës, duke vijuar me diptikun e realizuar në vaj në kanavacë nga Shpëtim Kërçova, e duke pasuar me triptikun e realizuar në fotografi të Vangjush Vëllahut.

Ndërsa në hapësirën lidhëse ndërmjet dy dhomave ekspozohen piktura, duke filluar nga krijimi i Valdrin Thaqit, më pas katër tablo të realizuara në formë diptiku nga Greta Pllana. Ndërsa në murin fundor ekspozohet një portret gruaje, realizuar nga Idlir Koka. Gjithashtu, dhoma e dytë vijon me dy piktura të tjera të krijuara nga Idlir Koka, dhe vijon më diptikun e Iva Lulashit dhe përmbyllet me pikturën e realizuar nga Brilant Milazimi.

Shpëtim Kërçova (lindur më 1968) studioi pikturë dhe tekstil në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ku më pas u diplomua në vitin 1991. Punimet e tij zakonisht analizojnë gjendjen njerëzore në hapësirën urbane, marrëdhëniet e tyre me natyrën dhe temat e globalizimit. Ekspozita vetjake e Kërçovës e realizuar së fundmi ishte Garden of Muscle Queens.

Idlir Koka (lindur në Tiranë më 1979) jeton e punon në Tiranë, Shqipëri. Puna e tij heton marrëdhënien midis shfaqjes dhe ndjekësve të saj, duke e përshtatur atë si një regjim bashkëkohor dhe një ideologji të re të konformitetit. Publiku është shfaqja dhe anasjelltas. Shikuesit bëhen shfaqje, shpesh hipnotike dhe vartëse ndaj një marrëdhënieje/riprodhimi të ri.

Vangjush Vëllahu (lindur në Pogradec më 1987) jeton e punon midis Pogradecit dhe Berlinit. Vëllahu është diplomuar në Universitetin Kombëtar të Arteve në Bukuresht (Rumani),  si dhe ka studiuar në nivelin master në Universitetin e Arteve “Muthesius” (Gjermani, 2016). Vëllahu numëron disa ekspozita vetjake të ekspozuara si brenda dhe jashtë vendit.

Iva Lulashi (ka lindur më 1988 në Tiranë) jeton dhe punon në Milano. Në vitin 2016 ajo u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Venecia. Puna e saj nis nga gjurmët e gjetura, foto skene apo korniza që pasqyrojnë gjuhën vizuale të një historie shqiptare e cila nuk është jetuar kurrë me vetëdije, ku fillon të inkorporojë filma erotikë, duke ngatërruar kufirin mes fotove të propagandës komuniste në filma dhe aktivitete të shëndetshme në natyrë. Iva ka ekspozuar krijimet e saj në hapësira të ndryshme si: Galeria Kombëtare e arteve (Tirana), Villa Brandolini (Treviso), Giovanni Fattori Museum (Livorno), Sincresis Arte Gallery (Empoli), Villa Rondinelli, Porcinai Archive (Fiesole), Miza Gallery (Tirana), Ca’ dei Carraresi (Treviso).

Greta Pllana (lindur më 1992) është një artiste shqiptare që punon midis Trevisos dhe Milanos. Ajo u qaset formave të ndryshme të artit si piktura dhe vizatimi, si mjete për kërkimin e kujtimeve, origjinës dhe dashurive të humbura. Piktura për Gretën është një instrument i rëndësishëm për të fituar njohuri dhe vetëdije për atë që dikur ishte vendi i saj i origjinës. Kujtimet anonime të jetës së përditshme shpesh ndërthuren me tradita dhe simbole që tërheqin vëmendjen e saj, për rikrijimin e momenteve universale të kujtesës kolektive dhe më gjerë.

Valdrin Thaqi është një artist pamor me bazë në Prishtinë. Duke studiuar në Akademinë e Arteve në Prishtinë, fillimisht është fokusuar në pikturë dhe më vonë ka punuar në një qasje më konceptuale. Praktika e tij kalon mes pikturës eksperimentale, skulpturës, instalimit dhe ndërhyrjes. Atij i pëlqen të trajtojë absurditetin në veprat e tij artistike, ekzistencializmin dhe stereotipet sociale. Analiza është e lidhur ngushtë me punën e tij qoftë biologjike apo metafizike.

Brilant Milazimi (lindur më 1994, Gjilan)  jeton dhe punon në Prishtinë. Veprat e tij ndeshen me funksionin e kujtesës, si personale ashtu edhe kolektive, dhe shprehjen e saj në piktura që duken të njohura dhe të çuditshme. Idetë rreth traumës, shpresës, përballjes dhe lirisë janë përcjellë në mënyrë implicite dhe poetike në veprat e tij, duke shfaqur interesimin e tij për nëntokën psikologjike të Kosovës.

Irgin Sena ka lindur në Shqipëri dhe jeton e punon në New York. Në vitin 2007 ka marrë çmimin “Ardhje” për Artin Bashkëkohor dhe në vitin 2012 ka marrë çmimin “Marian Netter”. Sena ka marrë pjesë në Multiplicity (New York); Bienalen Ndërkombëtare të Moskës për Artin e Ri në dhe në Bienalen e Tiranës në bashkëpunim me Andrea Kuluncic.