“(Ri)Lidhje me sferën publike” emërtohet ekspozita në Galerinë Zeta, hapur për publikun në datat 11 – 30 maj 2018, me artistë pjesëmarrës: Iris Andraschek dhe Hubert Lobnig, Gelitin, Werner Reiterer, Anna Meyer, si dhe Franz Kapfer. Ekspozita ka si pikësynim shqyrtimin e hapësirës publike nga pikëvështrimi i artistëve bashkëkohorë nga Austria.

...

Ideja e kësaj veprimtarie i takon artistit Hubert Lobnig, i cili e ka vizituar Tiranën për herë të parë në vitin 1992. Kjo ide lind pas vëzhgimeve të tij krahasuese mbi ndryshimet rrënjësore që ka pësuar marrëdhënia e shoqërisë shqiptare me hapësirën publike të kryeqytetit.

Fotografitë e artistëve Iris Andraschek dhe Hubert Lobnig paraqesin kufij, duke përfshirë në to gjendje të atilla si përkëtej dhe përandej kufirit, apo kapërcime fizike, duke pasqyruar kundërshtimin e tij prej vullnetit njerëzor. Fotografitë e paraqitura në ekspozitë pasqyrojnë instalacionin me titull “Where Do The Borders Go”, i cili mbart në vetvete idenë e shkeljes së kufirit në vendin e tyre të origjinës, si një pikëpyetje ndaj politikave kombëtare të demarkacionit administrativ shtetëror.

Një sërë fotografish, realizuar nga Hubert Lobnig në Tiranën e vitit 1992, paraqesin kryeqytetin e dikurshëm shqiptar në hapësira urbane në shkatërrim e sipër (ndërtesa me vlerë arkitekturore ose jo; makina të shkatërruara braktisur në hapësira publike); në atelie artistësh; portrete artistësh rebelë dikur – sot politikanë (Edi Rama); në paraqitje formash të së kaluarës totalitariste (bunkerë); në pamje nga përditshmëria jetike e viteve ’90 të një kryeqyteti, i cili nuk shembëllen aspak i tillë në fokusin e objektivit të artistit.

Artistja Anna Meyer pasqyron në ekspozitë ngjarje shoqërore si për shembull protestat qytetare të popullatës në Heldenplatz në Vjenë. Protestat paraqiten nga 2 këndvështrime: së brendshmi dhe së jashtmi protestës. Natyrshëm përplasen dy forca: shoqëria dhe shteti.

Idetë e artistes janë përpunuar përmes mediumit të pikturës (teknika e vajit në xham dhe në kanavacë) dhe performancës së saj (faceburka). E gjithë kjo vjen si mënyrë pasqyrimi për rolin e rrjeteve virtuale shoqërore në marrëdhënie me sferën publike, aty ku ndodh veprimi (ngjarja). Punët e Meyer-it dëshmojnë rolin veprues të artistit në dukuritë e sotme shoqërore.

Grupi i artistëve të quajtur Gelitin përdor në shërbim të artistikes një prej tipareve dalluese të fizionomisë njerëzore: hundën, e cila shpeshherë shërben si mënyrë identifikimi etnik ose racor. Nga një organ shqisor, personalizues, falë artistëve Gelitin hunda shndërrohet në një objekt publik artistik: një monument në një hapësirë rurale në Austri (2014). Sipas tekstit kuratorial, kjo s’është veçse një lojë ironike me shoqërinë e një gjiganti, të varrosur në tokë me hundën e rraskapitur në sipërfaqe.

Në ekspozitën e galerisë Zeta artistët Gelitin vijnë me një sërë fotosh të cilat paraqesin gjithë ecurinë nëpër të cilën merr jetë vepra artistike (monumenti i hundës), si edhe një vizatim i cili paraqet ndërveprimin e njerëzve me monumentin.

Werner Reiterer-i merr pjesë në ekspozitë me tri vizatime që paraqesin kënde të ndryshme të një bunkeri. Veçoria e bunkerit të Reiterer-it është pikërisht prania e qiellit: brenda dhe jashtë tij, si një tipar që vë në dukje pafundësinë edhe brenda veçimit të detyruar fizik si pasojë e një pushteti të caktuar.

Elemente identifikuese të një kombi apo të një tjetri – në ekspozitën në fjalë përfshihen përmes simboleve vendet e Ballkanit, mes tyre edhe Shqipëria – i shërbejnë Franz Kapfer-it për ndërtimin e një instalacioni. Duke e cilësuar figurën e Gjergj Kastrioti Skënderbeut ndoshta si një mit (si një figurë të veshur me një petk të rremë legjendar a përrallor) ai përpiqet ta çmitizojë duke e vendosur përkrenaren e tij majë një heshte…

Sipas tekstit kuratorial, në përgjithësi Franz Kapfer-i përdor flamuj, emblema, monumente, figura shenjtorësh katolikë në instalimet urbane të tij, me qëllimin për të luajtur me perspektivën e njerëzve për gjërat e zakonshme të përditshme për të cilat ai ofron qëndrimin e tij përmes veprës së vet.

 

WERNER REITERER

*Lindur më 1964 në Grac; jeton dhe punon në Vjenë; ka studiuar artin grafik në Akademinë e Arteve të Bukura në Vjenë.

ANNA MEYER

*Lindur më 1964 në Shafhauzën (Schaffhausen), Zvicër; jeton dhe punon në Vjenë; diplomuar në Shkollat e Artit dhe Dizajnit në Zyrih dhe në Lucern.

FRANZ KAPFER

*Lindur më 1971 në Fürstenfeld; jeton dhe punon në Vjenë; studiuar për skulpturë në Akademinë e Arteve të Bukura në Vjenë.

IRIS ANDRASCHEK

*Lindur më 1963 në Horn; jeton dhe punon në Vjenë, Austri; ka studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura Vjenë, në shkollën “Fresco”, në Bolzano dhe në “Scuola Arti Ornamentali” në Romë.

HUBERT LOBNIG

*Lindur më 1962 në Völkermarkt; jeton dhe punon në Vjenë, Austri; ka studiuar në Universitetin e Arteve të Aplikuara, në Vjenë.

GELITIN

Grup artistik me katër anëtarë, të cilët jetojnë dhe punojnë në Vjenë; kanë ekspozita të përbashkëta ndërkombëtare që nga viti 1993.

Photos: Courtesy of Zeta Galeri

http: https://qendrazeta.com