Çmimi “Ardhje” u zhvillua për të katërmbëdhjetin vit radhazi, mundësuar nga Galeri Zeta. Këtë vit artistët pjesëmarrës ishin: Bib Frrokaj, Sead Kazanxhiu, Gerta Xhaferaj dhe Fabiola Skraqi. Pjesëtarët e jurisë ndërkombëtare, Osmancan Yerebacan, Roberto Lacarbunara dhe kuratori shqiptar Alban Hajdinaj, cilësuan fitues të këtij viti instalacionin The Eel Line and the Garden of Eden të krijuar prej artistit Sead Kazanxhiu. Ekspozita e kuruar nga Marko Stamenkoviç do të mbahet e hapur për vizitorët nga data 19 shtator deri më 8 tetor, 2022.

Bib Frrokaj (l. 1992, Lezhë), sjell për ekspozitën “Ardhje” instalacionin/media mikse me titull Malet e fshehura të lumit Mat. Puna e tij kërkimore filloi që prej fillimit të pandemisë së Covid-19, ku nga pamundësia për ta shquar nga afër natyrën përgjatë lumit që kalon përmes zonës ku artisti ka lindur (veri-perëndim të Shqipërisë), artisti përdori Google Maps si alternativë ndërmjetëse për projektin e tij më të ri. Pamje të regjistruara prej satelitëve ajrorë u bënë pikë reference e shumë prej skicave të realizuara prej tij në bojra uji. Më pas, puna e artistit vijoi përtej vizatimeve të referuara nga ekrani i teknologjisë, tek pamjet e prekshme të natyrës. Në një letër me përmasa 430x137cm të ekspozuar horizontalisht në një prej mureve të galerisë, Frrokaj i ka dhënë formë pamjeve të këtyre “dunave” përmes vizatimit. Në dy anët e saj janë ekspozuar gjithashtu 4 vizatime me përmasa 21x30cm të realizuara në letër karboni dhe një ekran në të cilin shfaqen imazhe satelitore të digjitalizuara dhe të skicuara prej artistit. Kjo punë e Frrokaj konsiston në vëmendjen e munguar ndaj kësaj zone dhe ndërhyrjes masive prej dorës së njeriut mbi të.
Kopshti Eden dhe Vija e Ngjalës, është instalacioni i krijuar prej artistit Sead Kazanxhiu (l. 1987, Fier) për këtë ekspozitë. Në instalacionin me përmasa 380x210cm të krijuar me materiale të ndryshme si: fara qershie, material tekstili dhe kallama, shkruhen këto fjalë: “O miri phuv so guli sinan! Dav tut mo lav, jek dive ka irinav tuqe sa so lilom tutar: o rukha, o luludja, e čiriklen, e 3ivutren, o uźo pani thaj sa so si tire miri phuv” që përkthehen: “Oh toka ime sa e ëmbël je! Të premtoj që një ditë do të të kthej çdo gjë që kam marrë prej teje: pemët, lulet, kafshët, zogjtë, ujin e pastër dhe çdo gjë që të përket ty, toka ime!”. Krijimi i artistit lidhet ngushtë me fshatin e tij Baltëz, ku prej shumë kohësh përmes tij kalon rruga ujore e njohur si Vija e Ngjalës. Kjo gjë ka ndikuar në përkeqësimin natyror të këtij vendi duke mohuar kështu mirëqenien ekologjike dhe njerëzore përreth asaj zone. Duke marrë shkas nga një prej shembujve më të njohur për mbrojtjen e pyjeve, atij të fotografit Sebastião Salgado, Kazanxhiu përdor si element në instalacionin e tij farat frutore të pemëve të mbjella më herët prej tij në fshatin Baltëz, për t’i lënë shteg një ardhmërie më të shëndetshme për njerëzit dhe natyrën, duke rikthyer vlerat e një kopshti të lulëzuar, ose siç artisti kërkon të bëjë krahasimin me transformimin e tij në “Kopshtin Eden”.
Gerta Xhaferaj vjen në ekspozitën “Ardhje” me instalacionin Himni Liminal që përbëhet nga objekte të gjetura në zona në ndërtim: gurë, tulla, pllaka, dru dhe hekur, që bashkëshoqërohen me një audio. Lidhur me studimet e saj për arkitekturën dhe me njohurinë e gjerë në këtë fushë, në krijimin e saj artistja i referohet mbetjeve nga rrënojat e ndërtesave në qytetin e vendlindjes, Tiranë. Xhaferaj përballet me ndryshimet masive të dy dekadave të fundit në drejtime të ndryshme dhe njëkohësisht të vrullshme në qytet. Ato çka duken si mbetje në këtë instalacion, në të vërtetë janë copëza të grumbulluara prej Xhaferaj në zonat e ndërtesave të rrënuara. Ky artefakt bëhet pjesë e gjendjes kaotike të një qyteti në zhvillim e sipër që ndikon drejtpërdrejt në jetesën kolektive.
Fabiola Skraqi (l. 1989, Lushnjë) paraqet diptikun e punuar me vaj në kanavacë, me dimensione 100×70 të titulluar Metamorfoza. Në këto dy piktura shfaqen imazhe dhe forma të pazakonta në tonalitetet e kuqërremta, të kafenjta dhe të verdha që kalojnë përtej dukjes fizike drejt anatomisë së brendshme të njeriut. Skraqi hulumton qëllimisht drejt këtyre imazheve duke dashur t’i largohet impaktit të parë, dukjes, që ka përfshirë një masë të gjerë drejt rëndësisë së saj, duke u përqendruar tek ato që artistja i quan “peizazhet e brendshme”. Puna e saj gjen fill nga një eksperiencë personale gjatë një ndërhyrjeje mjekësore në zgavrën e saj vertebrale. Ekspozimet mikroskopike që shfaqin imazhe fizike të brendësisë së njeriut, shfaqen në forma surreale përmes pikturës nga artistja.
Çmimi “Ardhje” i mbështetur nga Ministria e Kulturës, i mundëson artistit një përvojë dymujore në programin e rezidencave në “Residency Unlimited” New York, e cila do të zhvillohet në vitin 2023.