“Transitioning Into Green” titullohet ekspozita vetjake e artistit Olson Lamaj e çelur në Galerinë Zeta përgjatë 1 dhjetor, 2023 – 10 shkurt, 2024. Ekspozita është kuruar nga Lívia Nolasco-Rózsás. Subjekti dhe kërkimi i artistit në këtë ekspozitë bazohet tek ndërlidhja njerëzore në raport me natyrën.

...

Në hapësirën e ekspozitës prezantohen dy seri fotografike dhe një instalacion. Në secilin prej imazheve të serisë/ciklit të parë fotografik pasqyrohet nga një shkurre e ndryshme nga njëra-tjetra. E përbashkëta e tyre qëndron tek forma dhe rimodelimi i tyre sipas ndërhyrjes së dorës njerëzore. Shkurret e fotografuara ndodhen përgjatë lumit Lana. Ato pasqyrojnë transformimin nga procesi natyror në forma të ndryshme si efekt dekorativ dhe estetik. Kopshtarët i modelojnë shkurret në varësi të praktikës së ushtruar.

Seria e dytë e fotografive pasqyron disa kanarina të larmishme që anojnë kryesisht nga ngjyra e verdhe me nuanca të ndryshme tek pendët e secilës prej tyre. Kanarinat prezantohen si ekzemplarë, si në rezultat unik i mbarshtimit të tyre. Pozicionimi i tyre në fotografi mbetet kudo i njejtë në një sfond gri.

Ndërmjet dy cikleve të fotografive ekspozohet si urë lidhëse një instalacion prej disa topave tenisi. “Green Point” fillon nga ngjyra reale e topit të tenisit, pra e verdha, dhe zhvillohet gradualisht drejt ngjyrës së gjelbërt. Ky kalim tregon një lloj dualizmi midis natyrës dhe kulturës.

Olson Lamaj (l. 1985) është një artist shqiptar që jeton dhe punon në Tiranë. Puna e tij hulumton çështje sociale dhe politike që lidhen me jetën bashkëkohore në Shqipëri dhe me sisteme kuptimore më universale dhe të pakoha që shtrihen përtej kushteve imediate.

Si një nga bashkëthemeluesit e Galerisë MIZA në Tiranë, përvoja e vetë Lamajt si artist ka qenë e lidhur me ngritjen e hapësirave dhe institucioneve artistike në Tiranë. Projektet e Lamajt theksojnë mbingopjen semiotike – dhe cilësitë misterioze, gati mistike – të objekteve dhe imazheve që lidhen me ideologjitë politike të llojeve të ndryshme. Veprat e tij artistike funksionojnë si një mitografi kolektive e së tashmes, duke hedhur themelet për projektimin dhe krijimin e miteve të reja.