“Nën Lëkurë” titullohet krijimtaria e ekspozuar së fundmi në Galerinë 70 e artistit dhe njëkohësisht kuratorit të ekspozitës, Edison Çeraj. Përgjatë hapësirës së galerisë ekspozohen nëntë piktura në teknika të përziera (mixed media). Ekspozita qëndroi e hapur për vizitorët nga data 20 tetor deri më 6 nëntor, 2022.

Kur bëhet fjalë për figurën dhe trupin e njeriut në artet pamore, Çeraj shkon përtej dukjes, drejt nënlëkurës, e cila përveç se në botën e teknologjisë, është prekur krejt pak. Imazhet që ofron teknologjia mjekësore, në trajta “abstrakte”, jo fort të njohura nga “pacientët”, kanë ushtruar një lloj ngacmimi tek artisti, duke qenë se “abstraktja” në këtë rast buron nga konkretja, nga trupi. Falë tij shkëputen njolla të shumëllojshme, për t’u sjellë dhe interpretuar në forma të reja nëpërmjet artit.
“Nën Lëkurë” sjell përmes formash dhe ngjyrosjesh të kujdesshme nëntë tablo të përmasave të ndryshme. Pikturat e Çeraj vijnë si krijime unike, të pranishme në botën/pafundësinë e nënlëkurës, të marra/shkëputura prej ekranit të ngurtë teknologjik, për të shtegtuar drejt krijimtarisë përmes imazhit të pakohë, pikturës. Qelizat vijnë tashmë më të pranishme, më të gjalla, më pranë vizuales dhe të prekshmes, edhe pse anojnë kah abstraktja, kah e palexueshmja prej alfabetit konvencional të imazhit.
Krijimtaria në këtë ekspozitë vjen konkretisht si rrjedhojë e kërkimit të “abstraktes” nën lëkurë. Megjithëse, sipas autorit, kufiri midis abstraktes dhe reales humbet në natyrë, sepse krijimi është më shumë sesa abstrakt apo real.
Edison Çeraj lindi në Shkodër më 28 gusht të vitit 1982. Ka mbaruar Akademinë e Arteve (sot Universiteti i Arteve) dhe më pas edhe një master në filozofi në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Sociale. Prej vitesh Çeraj ushtron profesionin si pedagog në atelierin e Multimedias në Universitetin e Arteve. Është autor i katër ekspozitave vetjake: “Në kërkim të ngjyrave të humbura” (2008), “Lëndë me zgjedhje” (2014), “No-thing” (2016) dhe “Ngjyrosje” (2020), si dhe pjesëmarrës në disa të tjera të përbashkëta. Gjithashtu, Çeraj ka kuruar më shumë se dhjetë ekspozita, vetjake dhe të përbashkëta. Ai është autor i tre librave me ese: “Arti si mundësi” (Izabel, 2008), “Kërkime në metafizikën e artit” (Logos-A, 2012) dhe “Nyja e harresës” (Logos-A, 2017).