Platforma e Artit Bashkëkohor HARABEL në bashkëpunim me Universitetin e Arteve, mikpritën profesor Giovanni Granzotto për një bashkëbisedim rreth temës: Nga Ilirët dhe Romakët deri në ditët e sotme: Një histori e vetme në Mesdhe. Bashkëbisedimi u zhvillua në ambientet e Universitetit të Arteve me datë 5 maj 2022.

...

Giovanni Granzotto nis bashkëbisedimin duke bërë një panoramë të historisë që prej Ilirëve dhe Romakëve deri në ditët e sotme, duke iu referuar periudhës së zhvillimit të qendrave kryesore. Shton më tej që kultura e botës lindi nga Europa dhe mori një hov të madh në fund të viteve 800 me zhvillimin e dekoracionit të madh venecian. Granzotto përmendi Gustav Klimt si përfaqësuesin e madh të kësaj kulture, duke iu referuar mozaikëve të tij në Basilica di San Marco dhe Basilica di Ravenna.

Gjithashtu, si një dëshmi të asaj historie të gjatë, Granzotto shqyrton artistin Riccardo Licata, si një prej artistëve përfaqësues të kulturës bizantine. Fillimet e Riccardos janë nga laguna e Venecias, më pas njohuria e tij për artin u thellua në të gjitha vendet ku ai u zhvendos. Ai merr disa drejtime krejtësisht të ndryshme që sjellin një version të veçantë të hapësirës. Gjithashtu, në pikturat e tij shfaq dhe pjesë të kulturës bizantine, ndër to dhe ilire. Në njëzet vitet e fundit, ndikimi bizantin, me hyrjen dërrmuese të arit, u bë themelor në pikturën e tij dhe e gjithë krijimtaria e tij u strukturua përmes referencave veneciane, bizantine, greke në ndërtimin e një gjuhe individuale të krijuar prej referencave historike.

Një tjetër ndalesë gjatë bashkëbisedimit u bë dhe për dy ndikimet e mëdha artistike: Arti i Programuar dhe Nova Tendencija. Arti i programuar qe një lëvizje që pa në verilindje të Italisë, midis Padovës, Venecias dhe Friulit, shumë nga eksponentët e saj më domethënës: Biasi, Massironi, Munari, Alviani, Costalonga etj. Artistët më të mëdhenj të këtij arti kanë qenë italianë, francezë, argjentinas dhe të gjithë fëmijët e emigrantëve. Alberto Biasi spikati si një ndër artistët më të mëdhenj të kësaj lëvizjeje. Ndërsa Nova Tendencija lindi në vitin 1961 (term i huazuar nga kritiku serb Matko Meshtroviq) gjatë realizmit socialist me realizimin e një ekspozite artistike me një ndërthurje të jashtëzakonshme të përvojave Europiane, Ballkanike dhe Ruse, që kishte një qasje ndaj përdorimit të materialeve teknologjike dhe prodhimit industrial me qëllimin për të ndryshuar realitetin shoqëror.

Mesdheu dhe mbi të gjitha deti Adriatik, ishte qendra e vërtetë e takimeve të kulturës së madhe Europiane.

*Giovanni Granzotto lindi më 15 mars 1951 në Sacile (PN), ku ai ende banon. Pas diplomimit për Drejtësi në Universitetin e Padovës, ai ndoqi një Master në Organizimin e Biznesit dhe një kurs në Art dhe Financë në Shkollën Ekonomike të Londrës në CUOA. Gjatë viteve shtatëdhjetë ai bashkëpunoi në seksionin kulturor të Il Piccolo di Trieste dhe Messaggero di Udine. Pikërisht në ato vite ai themeloi Studio d’Arte GR, ndërsa në vitet tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë drejton disa nga shtëpitë kryesore të ankandeve italiane: Pitti-Finarte, Semenzato, bashkëpunon me Sotheby’s America për artin venecian të shekullit të nëntëmbëdhjetë, etj. Në mesin e viteve 90 dhe për rreth gjashtë vjet mbajti një rubrikë të rëndësishme me temën e falsifikimeve në artin modern, në revistën ARTE IN. Ai fitoi një konkurs, si i pari i jashtëm, për mësimdhënie në instalacione në Artet e Bukura të Romës, por nuk ushtron profesionin akademik. Granzotto është kryetar i Arkivit Historik të Artistëve Venecianë që nga themelimi i tij. Gjithashtu Granzotto ka më shumë se katërqind botime të teksteve kritike që lidhen me ekspozitat publike të organizuara prej tij, ose në të cilat ai ishte pjesë e komitetit shkencor.