Më 23 nëntor, 2023, Harabel inauguroi në Galerinë GurGur në Petrelë ekspozitën e Krist Dragotit “OVERLORDS:Mbi shndërrimin e trupit njerëzor”.

Kalimi nga Modernja në Postmoderne, në ndërprerjen që i bën linearitetit të mendimit modern gjithnjë duke u prirur drejt së resë, në fakt ka ndërtuar premisat për një rrëfim të shkapërdarë, sipas modelit të rizomës nga Deleuze dhe Guattari. Nëse nga njëra anë kjo ka lejuar krijimin e këndvështrimeve të shumta dhe çelësave të shumëfishtë për të aksesuar informacionin dhe në përgjithësi për të marrë pjesë në ndërtimin e perceptimit të realitetit personal dhe kolektiv; nga ana tjetër ka krijuar një ndjesi të humbjes së orientimit; një humbje të ndjesisë së progresit si një përmirësim i pacaktuar i kushteve të përgjithshme të jetesës, një çorientim i përgjithshëm i cili ngadalë ka çuar në një situatë pasigurie të përgjithshme të përhapur. Kjo i ka konsumuar kufijtë e sigurive tona, duke vënë në pikëpyetje edhe kufijtë e trupit tonë, vendin përmes të cilit ne e përjetojmë drejtpërdrejt botën, që përcakton identitetin tonë, vetë qenien tonë “njerëzore”. Në fakt, frikërat tona i kemi identifikuar gjithmonë nëpërmjet asaj çka është e deformuar, me “përbindëshin”; që sipas përkufizimit është pikërisht ajo figurë mitologjike, trupi i së cilës përbëhet nga pjesë heterogjene që duket se vijnë nga gjini dhe specie të ndryshme. Përbindëshi është vizualizimi i asaj që ne nuk mund ta kufizojmë racionalisht brenda asnjë kategorie, përveç asaj të diçkaje që shkon përtej (post) natyrës. Forma që i japim botës rrjedh në fakt nga forma e marrëdhënies sonë me të, të vësh në dyshim kufijtë e trupit tonë do të thotë gjithashtu të vësh në dyshim përvojën tonë të botës. Nëpërmjet mendimit postmodern, në përpjekjen për të kapërcyer dualizmin klasik mendje-trup, njeri-kafshë, njeri-makinë, njeriu ka humbur vëmendjen ndaj kufijve që përvijojnë formën e tij, duke mbetur i çorientuar.

Në serinë e veprave që Krist Dragot prezanton për herë të parë në hapësirat e galerisë Gurgur, artisti i ri përballet me këtë ndjenjë çorientimi, të cilën e përkthen përmes pikturës në një trup post-njerëzor. Një trup që duket se mban mbi vete peshën dhe vuajtjen e shndërrimit të tij, të kalimit të tij drejt një entiteti të ri, forma përfundimtare e të cilit nuk është pasojë e një evolucioni natyror, por më tepër e vendimeve të marra nga ultra entitetet (Overlords,mbizotëruesit), që manipulojnë fijet e perceptimit tonë nga prapaskenat e realitetit. Entitete që drejtojnë dhe transformojnë shijen, sensin dhe qasjen me realitetin dhe për rrjedhojë shndërrojnë trupin tonë, duke e deformuar atë vazhdimisht në një mënyrë heterogjene. E zeza nuk është vetëm një shenjë që përdoret për të përcaktuar kufijtë e personazheve të pikturuara nga artisti, por gjithashtu bëhet një mënyrë për të vënë në dyshim këto kufij dhe për të rritur ndjenjën e çorientimit përballë këtyre figurave që duket se lëvizin me mijëvjeçarë prapa në historinë lineare të evolucionit njerëzor, dhe në të njëjtën kohë, mijëvjeçarë përpara në një të ardhme të panjohur, më shumë distopike sesa utopike.

Kjo na bën të pyesim veten se si i imagjinojmë qeniet tona njerëzore në këtë gjendje çorientimi dhe transformimi të përhershëm? Si mund ta përmbajmë marramendjen e së panjohurës nëse nuk mund të mbështetemi më as në trupat tanë? Po sikur në vend të kësaj, mënyra për të dalë nga kjo marramendje të ishte pikërisht humbja e formës sonë origjinale? Po sikur zgjidhja përfundimtare të mos kishte një formë dhe të përqafonte transformimin si përfundim natyral të vetë procesit njerëzor? Si një cikël që fillon dhe përfundon në trup.

Tekst kuratorial nga Stefano Romano