Platforma e Artit Bashkëkohor Harabel dhe DokuFest kanë kënaqësinë t’ju ftojnë për disa projektime filmike mbrëmjen e 28 korrikut 2021, ora 20:30, te fushat e tenisit pranë Liqenit Artificial të Tiranës.

...

DokuFest vjen për të disatin vit radhazi në Tiranë, për të shfaqur disa prej filmave të programit të ri të vitit 2021. Tematika e këtij viti është “Re:set Re:mix Re:act”, përbërë nga tri fjalë të cilat në qendër kanë si nocion shkronjat RE në rrënjën e tyre, me të cilat festivali do të eksplorojë aspekte të shumta në kontekstin e botës që rishfaqet nga pandemia dhe (ri)imagjinon veten në një situatë të re.

Duke filluar nga ora 21:00, mbrëmja premton shfaqjen e filmave të mëposhtëm:

“Bushi”, Hana Sedoli & Ben Gorani (Kosovë, 2021);“More Than Two Hours”, Ali Asgari (Iran, 2013); “In Between”, Samir Karahoda (Kosovë, 2019); “Vever (For Barbara)”, Deborah Stratman (SHBA, 2019); “Push This Button If You Begin To Panic”, Gabriel Böhmer (MB, 2020).

Si përmbyllje, do të ketë një bashkëbisedim ndërmjet drejtuesve të festivalit dhe publikut të pranishëm përgjatë të cilit do të shpaloset edhe programi i festivalit.

Edicioni i 20-të i DokuFest do të zhvillohet në qytetin historik të Prizrenit dhe në platformën online në datat 6 – 14 gusht 2021. Nga një numër rekord i mbi 3.000 aplikimeve, festivali do të prezantojë 106 filma nga 60 vende të ndryshme të botës të cilët do të konkurrojnë në 8 kategori garuese, duke shfaqur disa nga dokumentarët më të mirë, si dhe një koleksion të shkëlqyeshëm të filmave të shkurtër dhe atyre eksperimentalë, të prodhuar kohëve të fundit, duke e bërë atë platformën më të madhe të shfaqjes së filmave në vend.