Platforma Harabel çeli ekspozitën “Suspended Movement” të Dy Guliverëve (Flutura Preka & Besnik Haxhillari), në Hapësirën e Ekspozimit të HARABEL.

Ky event u zhvillua në kuadër të Manifesta 14, Projekti për Ballkanin Perëndimor dhe erdhi si rezultat i një workshop-i dymujor me studentët, të quajtur “Performography: Summer School of Performance”. Ky projekt u bashkëfinancua nga Bashkimi Evropian.

Pjesëmarrja e Dy Guliverëve në këtë program është bashkëfinancuar nga Këshilli i Arteve dhe Letërsisë në Quebec dhe Universiteti Trois-Rivieres Quebec.

Fjala performografi është e lidhur direkt me performancën dhe përkufizimin e saj. Kur themi performancë mendja na shkon tek një aksion, veprim, arritje apo një lëvizje në një moment dhe hapësirë të caktuar. Pa i kundërshtuar këto karakteristika të saj ekspozita do të vërë në dukje një tjetër aspekt të këtij arti të përkohshëm që është ai i një vazhdimësie që i siguron jetëgjatësinë performancës. Përveç aparatit fotografik apo kameras, artistët kanë eksploruar fiksimin e aksioneve performative nëpërmjet aktit të të vizatuarit dhe aktit të të pikturuarit. Gjurmët e shumta rreth një vepre performative kthehen në një tablo ku aksioni përbën subjektin e veprës, por duke sjellë një estetikë që i takon disi vetëm performancës. “Realizimi” i tablosë justifikohet me krijimin e veprës performative në kohë të ndryshme, pra performanca i përket të kaluarës dhe në një kohë të dytë vjen pikturimi i subjektit të saj me detaje të hollësishme. Pa një akt performativ të realizuar më përpara nuk mund të kemi një tablo të llojit të tillë. Gjatë gjithë këtij procesi artistët kanë mundur të realizojnë tablotë e tyre si Monet nga kopshti i tij magjik në Giverny (France). Ashtu si në rastin e Monet që përpara se të pikturonte krijoi një kopsht, ashtu edhe arkiva e tyre e performancës s’është gjë tjetër veçse ky kopsht që i frymëzon çdo ditë.

Pas një hulumtimi të gjatë Dy Guliverët kanë sjellë një term të ri, që është Performografia. Performografia është gjurma grafike e performancës dhe ka të bëjë me krijimin e saj po aq sa edhe me eksplorimin dhe ekspozimin e saj. Ky neologjizëm i propozuar nga artistët, i referohet performancës dhe përdoret për të përshkruar artin e kompozimit të performancave artistike. Ky term rezulton nga një përvojë e gjatë konceptimi dhe realizimi të veprave performuese, nga të cilat janë grumbulluar një sasi gjurmësh: vizatime, foto, video, inçizime dhe objekte të projektuara dhe të prodhuara për veprat. Duke i dhënë një emër specifik gjurmëve të procesit dhe arkivit të krijimit të performancës, synimi i artistëve është të tërheqin vëmendjen edhe një herë për rëndësinë e metodave të përdorura: imazhin e performancës si mjet për arkivimin e tij.