Të enjten, 6 prill, 2023, Harabel pati kënaqësinë të inauguronte ekspozitën “The Curse of the Eye” të artistit Genti Korini, kuruar nga Maria Rus Bojan, te Harabel Exhibition Space.
Ndër artistët kryesorë të brezit të tij, Genti Korini ka artikuluar një gjuhë origjinale konceptuale që qëndron në kryqëzimin e idesë së përfaqësimit dhe abstraktes, formalizmit dhe komentit social, medias dhe dizajnit. I frymëzuar nga historia e pikturës dhe arkitekturës moderniste, veprat e Korinit theksojnë marrëdhënien midis estetikës dhe imagjinatës sociale, duke eksploruar se si këto elemente manifestohen në ballafaqimin e periudhës moderne me modernizmin, me kuadrin kulturor dhe historik të vendit të tij të lindjes, Shqipërisë.
Pas përvojës së kapjes së elementeve të një realiteti abstrakt të prekur nga arkitektura moderniste në paraqitjet piktorike, artisti zgjeroi fushën e tij të shprehjes artistike duke kaluar së fundmi në figuracion. Me një potencial më të lartë në përshkrimin e kompleksitetit të përfaqësimit bashkëkohor, figuracioni bëhet për Korinin një mjet konceptual për të luajtur me siguritë e perceptimit, duke vënë në të njëjtën kohë në pikëpyetje rregullat dhe paragjykimet e këtij të fundit.
Seria e fundit e pikturave figurative të tij ndërlidhet me idetë e filozofit italian Giorgio Agamben, i cili e përkufizon modën si një model të bashkëkohores, një matricë shoqërore që është vazhdimisht në kërkim të asaj që ai e quan “ontologjia e stilit”.
Aventura e tij semiotike e dekodimit të meta-gjuhës së modës, që bëhet pjesë e shfaqjeve bashkëkohore të përhapura nga platformat sociale, është sa intriguese aq dhe e dobishme. Ai paraqet mundësi për të dalluar midis narrativave të ndryshme që shprehin vlerat kulturore kolektive dhe trajton në mënyrë kritike vetë procesin e ndërtimit të identitetit përmes imazhit dhe rekuizitave të modës, si dhe imperativin e ri të shprehjes së vetvetes, që është bërë mantra e re e mediave sociale.
Duke vënë në dukje ato aspekte të mungesës së vijimësisë midis realitetit dhe paraqitjes, Korini krijon personazhe hibride që funksionojnë si ‘zëvendësues’, si rrëfime boshe në një gjendje tjetërsimi dhe hibriditeti, të reduktuara në aktin e tyre të pozës si formë, pa përmbajtje si abstraksione. Në të gjitha kompozimet e serisë së re të veprave të mbledhura nën titullin “Mallkimi i Syrit”, theksi i artistit bie gjithmonë mbi pozën – jo në figurën e portretizuar, ndërsa abstraksioni në sfond me elementët e tij të pasur me asosacione kulturore ka për qëllim të mbështesë lidhjen midis narrativave.
Duke kuptuar se çdo paraqitje vizuale ka një “nënshtresë”, në të cilën format në dukje të kuptueshme humbasin qartësinë e tyre dhe sfidojnë kuptimin racional, artisti synon të krijojë dritare në momente të veçanta në kohë, duke reflektuar mbi transformimet e fundit të vlerave kulturore së bashku me ndryshimet dhe implikimet që ato kanë sjellë.
Duke shkrirë ikonografi të vjetra dhe të reja, por pa dhënë ndonjë rezolutë të qartë, artisti vë në pikëpyetje mënyrat se si është përdorur përfaqësimi i trupit për të ndërtuar dhe përforcuar narrativat kulturore dominuese.
“Mallkimi i Syrit” merr një qasje hermeneutike, që kontribuon në mënyrë të konsiderueshme në zgjerimin e njohurive dhe implikimeve të studimit të këtyre projeksioneve të reja të identitetit, duke ofruar një kod interpretimi dhe rrjedhimisht një lexim të ri të shtresave të shumta të përfshira në vizioninin bashkëkohor të përfaqësimit.
Maria Rus Bojan