Më 25 Korrik, 2022, Platforma e Artit Bashkëkohor Harabel inauguroi veprën Three Times Black’ nga artistja Silva Agostini, tek Parku i Madh i Liqenit.
Ky aktivitet është pjesë e programit të HARABEL për Manifesta 14 Projekti i Ballkanit Perëndimor.
Three Times Black përbëhet nga tri trupa metalikë të lartë me bazë trekëndore dhe vëllime të ngjashme, por me përmasa të ndryshme nga njëri-tjetri.
Format e tri vëllimeve skulpturore janë të frymëzuara nga arkitekturat e qyteteve. Marrëdhënia që trupat kanë me njëri-tjetrin është e çrregullt, duke krijuar kështu një kompleks vëllimor me një zhvillim të abstraguar, me përmasa në raport të drejtë me hapësirën përreth. Faqet metalike që kufizojnë dhe vizatojnë siluetën e tri vëllimeve janë mbajtur me ngjyra të vrara ujore dhe shkrihen me peizazhin e parkut.
Këto skulptura janë secila të lëvizsshme më vete e kushdo që ka dëshirë mund të ndërveprojë me to, duke krijuar një lëvizje të lirë rreth boshtit të tyre. Kalimtarët ftohen të bëhen pjesë aktive e veprës.
Kjo vepër në kompleksitet vendos ballë për ballë një seri momentesh: qetësinë dhe zhurmën, metalin e sertë dhe brishtësinë e natyrës, ngjyrën e ndryshkur metalike dhe gjelbërimin delikat.
Rreth artistes
Silva Agostini (l. 1979) në Tiranë. Aktualisht jeton dhe punon në Berlin. Ajo ndoqi Akademinë e Arteve të Bukura në vitet 1998 -99 në Tiranë dhe Universitetin e Arteve të Berlinit ku u diplomua si studente master e profesoreshë Christiane Möbus në 2005. Punimet e saj janë shfaqur në ekspozita të shumta vetjake dhe grupore në Gjermani, Shqipëri dhe Evropë, duke përfshirë : Bazament Tirana, Nassauischer Kunstverein Wiesbaden, Basis Frankfurt, Grieder Contemporary Zürich, Muzeu Maqedonas i Artit Bashkëkohor Selanik, Muzeul National de arta contemporana Bukuresht, Galeria Isabella Czarnowska Berlin, Kunstsammlung Gera, Galerinë Kombëtare në Tiranë, si dhe Bienalen e Tiranës. Agostini mori çmimin Onufri në vitin 2014 dhe ka marrë pjesë në Rezidencën TICA në vitin 2016. Ajo është anëtare themeluese e hapësirave të projektit “TÄT” (2008-12) dhe “Very” (2018) në Berlin.