Platforma e Artit Bashkëkohor HARABEL, së bashku me Atelierin Tekstil dhe Modë të Fakultetit të Arteve të Bukura, nën drejtimin e pedagoges dhe artistes  Najada Hamza, prezantuan sfilatën me krijimet e skulpturave të buta nga studentët e këtij atelieri ndër vite, si përfaqësuese të nëntëmbëdhjetë viteve punë. Aktiviteti “URBAN SCULPTURES” u zhvillua në sheshin e Universitetit të Arteve mbrëmjen e 14 korrikut, 2022, Tiranë.

Të mësuar ta shohim skulpturën të ndërtuar prej materialeve të forta (mermer, metal, dru, etj.) dhe modën si një mbulesë aksesore të individit, “URBAN SCULPTURES” eksperimenton me forma, materiale dhe krijime jotradicionale të të dyja disiplinave, duke krijuar një hapësirë pezull mes të dyjave, sepse e përditshmja nuk ka pse të jetë e mërzitshme dhe sepse skulptura nuk ka pse të mos jetë e  palëvizshme.

Në këtë sfilatë u prezantuan 72 veshje të ndara në kategoritë sipas krijimit të tyre: Bardhë e Zi; Transparencë; Laps në letër; Forma; Rrënjë; Butrinti; Tinguj Barokë; Picasso; Antikitet; Cereus dhe Amfora.

Krijimtaria e veshjeve të shfaqura në këtë sfilatë i përkasin studentëve dhe ish- studentëve të atelierit: Alkida Boshnjaku; Arjana Blakaj; Blerta Isufi; Denada Zebi; Edlira Terziu; Elisabeta Gjoni; Erolda Cela; Enelejd Likaj; Eni Bakiri; Entela Ahmetaliaj; Helena None; Kejsi Ceko; Paola Vishaj; Laura Ukshini; Marinela Koni; Meri Vata; Sidorela Koxha; Sindi Budini; Urtina Gashi.

*Departamenti i tekstilit u themelua në vitin 1965 nga Danish Jukniu. Atelieri fillimisht qe emëruar si Dizajn dhe Tekstil, ndërsa nëntëmbëdhjetë vitet e fundit quhet Tekstil dhe Modë. Duke njohur e studiuar historinë dhe zhvillimin e artit të tekstilit, zhvillimin e veshjes, mundësitë e krijimit dhe aplikimit të dizajnit të veshjes, studentët aplikojnë në mediume dhe teknika të ndryshme duke krijuar e tejkaluar konceptin tradicional qoftë të modës e qoftë të skulpturës.