Më 14 dhjetor, 2023, Tedi Papavrami dhe Maki Okada performuan në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë. Ky event u soll për publikun nga ABI Bank dhe Harabel Contemporary.

Në pjesën e parë të koncertit ata interpretuan Debussy, Sonate pour violon et piano en sol mineur dhe Fauré, Sonate pour violon et piano nr.1 en la majeur.
Në pjesën e dytë Papavrami dhe Okada interpretuan edhe dy sonata të Schumann dhe Brahms.
Tedi Papavrami që në moshë të vogël konsiderohej jashtëzakonisht i talentuar. Në shtator 1982,qeveria franceze i ofroi një bursë studimi në Francë ku studioi pranë Conservatoire National Superieur de Musique në Paris, nën drejtimin e Pierre Amoyal. Në vitin 1985 fitoi konkursin “Rodolfo Lipitzer” në Gorizia, në 1986 fiton me unanimitet “Çmimin e parë të Konservatorit të Parisit, në vitin 1987 mori diplomën e Konservatorit të Losanës. Ka fituar vazhdimisht çmime si dhe ka interpretuar me orkestra prestigjioze nga vende të ndryshme të botës.
Ndërsa Maki Okada ka përfunduar studimet në Toho Gakuen School of Music në Tokio e më pas në Francë. Lidhjet e krijuara gjatë kësaj kohe me Francën dhe Evropën shënuan zhvillimin e saj muzikor, tashmë në repertorin për violinë dhe piano ku fokusohet me bashkeshortin Tedi Papavrami. Së bashku në vitin 2018, ata morën çmimin “Barocsaal” në Kioto, për koncertin më të mirë të sezonit.