Me 16 janar, 2024, Harabel inauguroi ekspozitën “Gur”,  me pjesëmarrjen e Blendi Shahu, Burim Tafilica, Daniela Vuksani, Enza Rripaj dhe Sara Ferhati, kuruar nga Edison Çeraj, në hapësirën e vet të ekspozimit “GurGur” në Petrelë.

Çdo gur është i çmuar, përderisa ekziston, përderisa plotëson nji vend të caktuar, pavarësisht sesa të vetëdijshëm jemi ne për këtë, pavarësisht aventurës sonë me hierarkinë e vlerave, pavarësisht kujtesës dhe harresës sonë. Ka vlera që nuk kanë çmim, ka dhe çmime që nuk tregojnë vlerë.

Guri është nji ndër ata elemente të krijimit/natyrës që ngërthen disa simbolika, disa mesazhe. Përpara se të jetë një lëndë minerale e fortë, ai është shenjë, dhe si i tillë përfaqëson diçka që e tejkalon natyrën e tij minerale, si çdo gja në natyrë. Pa këtë përmasë, po të perifrazojmë Conrad-in, edhe natyra duket e panatyrshme.

Natyra është e vetmuar gjer në trishtim pa njeriun, pa hapat e tij, pa habinë, pa buzëqeshjen e tij që lidh tokën dhe qiellin. Natyra vuan drithërimën e misterit, ndaj dhe kërkon me e nda me ne, ose me e kalu te ne. Ajo e di që ne e mbajmë këtë peshë; ajo e di se është kjo peshë që na ban të tillë.

 

* * *

“Njësitë frazeologjike, por edhe elemente të tjera të idiomatikës së një gjuhe, janë bashkime njësish gjuhësore, njëherësh edhe bashkim konceptesh, që përshkruajnë anët e ndryshme të një gjësendi, dukurie, në realitetin mendor të një populli, që në përgjithësi e ka një emërtim. Si elemente të leksikut ato kanë lidhje me elemente të botës mendore, shpirtërore dhe kulturore të një bashkësie të caktuar.” (Teuta Toska, në “Peizazhe të Fjalës”, 2023)

Nji prej simbolikave me “gur” që ka të bajë me randesën, a ma sak me qëndrueshmërinë, e gjejmë te njësia frazeologjike “guri i randë peshon n’vend të vet”, që përdoret si metaforë për njeriun, si kujtesë se asnji vend nuk mundet me qenë si shtëpia (konaku, homeland), sido që ta veshim me interpretim këtë të fundit. Shprehja duket qartë që shënjon anën shpirtërore, apo mirëqenien metafizike, duke qenë se të shpërngulurin prej shtëpisë e shoqëron si hije pesha e të qenët i huaj, pavarësisht se materialisht mund të jetë shumë herë ma mirë se në vendin e vet.

 

Me kohë u rrxue nji gur

nga mali im

dhe shkeli vetëm filizat e ahave

e mandej pushoi, i randë, në mue…

 

Ti që kalon para meje

mos vre me kureshtje

ndërtesën e ndjenjave të mia,

por ndiej gurin që pushon në mue

dhe merre me mend peshën e tij

në parzmin tand…[1]

Nji tjetër njësi e shqipes ku përdoret fjala Gur është edhe ajo që aludon idioma “gur, gur bahet mur”, nji shprehje që na kujton për durimin, vazhdimësinë, mosdorëzimin, pritjen, kambënguljen, vetëmohimin e kështu me radhë.

Pra, çdo gja, e madhe apo vogël qoftë, nuk mundet me u arritë me shkop magjik, por hap mbas hapi, gur mbas guri derisa merr atë trajtë apo përmasë që ia vlen, që na përmbush, që na bind.

Ka nji prirje masive sot, edhe me ndërmjetësimin e mirëqenë të rrjeteve sociale, për t’u ba i famshëm, i pasur apo artist brenda (magjisë së) natës, gja që përmban nji ngërç të fortë ontologjik për individin e kapërthyer në këtë mriz me shumë shkurre zhgënjimi, si dhe nji sprovë për shoqërinë që i duhet me përballu stërvitjen e zhurmshme të një ushtrie me “modele suksesi”.

“Gur, gur bahet mur” na kumton se rruga mund të jetë e gjatë, ama edhe destinacioni do të jetë nji arritje e njimendët.

Në këtë rast guri aludon edhe lidhshmëri, si ndërlidhës, që merr vlerë vetëm kur ndërliket me të tjerë djathtas e majtas, lart e poshtë, e prapëseprapë mbetet unik, ashtu si çdo njeri në marrëdhanie me shoqërinë.

Kemi edhe gurin e qoshes (cornerstone), ose gurin e themelit, si zanafillë, si bazë e diçkaje, si element sine qua non të nji zhvillimi të caktuar.

Po ashtu, nji tjetër domethanie me randësi që na ndërmend Guri është te togu “gur kufiri”. Në këtë rast, për pjesën dërrmuese të njerëzve ndjeshmëria është e lartë, se bahet fjalë për pronë, për pronësinë mbi nji sipërfaqe të caktuar toke, gja që i ka sjellë dhe i sjell njerëzimit telashe shumë të mëdha, të kobshme shpeshherë.

Kështu “shpikja” e gurëve të kufirit ka lindë për me ndërmjetësu dhe për me shmangë përplasjen, sepse me anë të këtyre gurëve njerëzit dhe kombet kanë sublimu ujdinë e tyre për çfarë u përket e për çfarë nuk u përket.

Guri është edhe i munguari i madh në qytetet e kohës sonë, veçmas në qytetet e zhvilluar, të cilët sa vijnë e vishen edhe ma stylish me materiale nga ma të ndryshmet të industrisë, herë të randa e herë ekologjike, herë dekorative e herë funksionale, herë butaforike e herë minimaliste, ama për gurin në trajtën e tij cullak, të “egër” vështirë të gjesh vend. Pemët, fjala vjen, nuk e kanë patur këtë fat, përkundrazi, sidoqë pa kokrra, shumë ofiqarë anekënd planetit janë në garë kush i shton ma shumë në haremin e tyre të përhitur, ku kulti i trupit trung ven në siklet edhe vetë Akilin.

Duhet kujtu edhe ana tjetër të medaljes: “zemërgur”, “nuk t’jep nji gur me ça kryet” (koprraci), “unë me bukë e ti me gur” (mosmirënjohje), “gurëzim”, “u baftë gur” (mallkim), “e nxjerr prej gurit” (zotësi), “gur në opingë” (bezdi), “i raftë gurit e drunit” (lutje) e shumë përdorime të tjera në kontekste negative apo kritike.

Pa dyshim që ka edhe gjurmime dhe “përkthime” të tjera që mund t’i bahen Gurit si formacion jo vetëm natyror, por veçan kulturor.

Përtej të gjithave, ajo që ka nji randësi të dorës së parë është shkëndija (ka gurë që bajnë xixa) që shkakton fjala Gur te secili prej pjesëmarrësve të kësaj ekspozite, sepse është pikërisht kjo ajo që ushqen diversitetin artistik, aq i nevojshëm në kohën e inteligjencës artificiale, qoftë dhe si kujtesë për mos me harru inteligjencën natyrore.

“Provoni të merrni frymë artificialisht!” (Leopardi)

Edison Çeraj

[1] Camaj, vargje nga poezia “Ti që kalon”.