“Si pllum” titullohet ekspozita vetjake e artistes Nora Bzheta, e kuruar nga Stefano Romano tek Bazament Art Space. Ekspozita përmban katër instalacione & një video-instalacion dhe do të jetë e hapur për publikun nga data 5 Qershor deri më datën 4 Korrik 2025, Tiranë.
Ekspozita hapet në një mënyrë të pazakontë, ka një hyrje alternative nga dritarja ku më pas, me anë të një shkalle bëhet kalimi për tu futur në galeri. Kjo qasje e hyrjes krijon të njëjtin efekt me konceptin që përshkruan më së miri këto vepra: transformimin dhe tranzicionin.
Frymëzuar nga migrimi natyror i shpendëve, si pëllumbat e egër, në hapësirën e Bazamentit shfaqen një video dhe katër instalacione të cilat inkorporojnë elemente të pëllumbave si pendët apo formën fizike të shpendit.
“Elixir”, është një instalacion i përbërë nga ujë, argjilë dhe pendë në një pleksiglass në formën e një kuboidi; “Tatuazh” përbëhet nga disa gjilpëra të vendosura në një letër kalku, dhe ndjekin formen e një pëllumbi në fluturim;
“Fluturim” është një video projeksion në pleksiglas 23 minuta & 23 sekonda në loop, ajo shfaq uljen e një avioni nga prespektiva e një pasagjeri (artistes). Edhe vetë projeksioni është i shfaqur në formën e një dritareje avioni.
Dhe së fundmi “Si Pllum” është një instalacion i punuar me argjilë të rihidratuar, pendë.
Përdorimi i këtyre materialeve është një zgjedhje konceptuale që përforcon idenë se një identitet nuk është i ngurte, por në lëvizje të vazhdueshme, kjo ekspozitë prek këtë rrugëtim të brishtë mes ikjes dhe mbërritjes, mes të njohurës dhe të panjohurës.
“Si pllum” trajton lëvizjen si një proçes thelbësor, një udhëtim i pandërprerë. Ekspozita fton publikun të reflektojë mbi kufijtë si fizikë ashtu edhe social dhe emocionalë që sjell rrjedha e natyrshme e jetës së të gjitha qënieve të gjalla.
Nora Bzheta (lindur në vitin 1997, Malësia e Madhe, Shqipëri) është artiste me bazë në Londër. Ajo u shpërngul në Mbretërinë e Bashkuar në moshën dy-vjeçare dhe u diplomua në vitin 2020 në Central Saint Martins, në degën e Arteve të Bukura (4D pathway). Nga viti 2020 deri në 2022 mori pjesë në Programin e Studiove të Shoqëruara në Acme Studios, ku vazhdon të mbajë ende studion e saj. Përveç praktikës së saj artistike, Nora punon edhe në South London Gallery si pjesë e Programit për Komunitetet dhe Mësimin. Praktika e saj merr formën e instalacioneve, shkrimit, skulpturës, videos, zërit, vizatimeve dhe performancës, duke eksploruar tema si identiteti, migrimi dhe transformimi.