Galeria e Artit Bashkëkohor në Tiranë (GOCAT) ka hapur ekspozitën e saj më të fundit, “Abito Mari”, nga artisti i njohur italian Fabrizio Bellomo. Kjo ekspozitë personale nga artisti multidisiplinar u kurua nga Elton Koritari dhe Ardian Isufi dhe do të jetë e hapur në Galerinë GOCAT nga 4 qershori deri më 12 korrik.

...

“Abito Mari” fton vizitorët të zbulojnë historinë dhe kulturën e Mesdheut. Ekspozita fokusohet te elementët që Italia dhe Shqipëria kanë të përbashkëta, veçanërisht lidhjet mes rajoneve të Puglias, Kalabrisë dhe Shqipërisë. Përmes videove, instalacioneve dhe fotografive të realizuara gjatë njëzet viteve të fundit, Bellomo sjell një pasqyrim të këtyre lidhjeve. Sipas tij, frymëzimi buron nga rrënjët e tij kalabreze, ku në ritmin e jetës së përditshme, strukturën shoqërore, dizajnin urban dhe arkitekturën, ai ndjen një lidhje të thellë mes dy vendeve që përjetojnë histori dhe përvoja paralele.

Disa nga veprat e ekspozuara janë: “Nziembru”, një qilim i realizuar përmes një procesi kreativ kolektiv, i nisur nga një dizajn i krijuar fillimisht nga nëna e artistit. Vepra përfshin elementin “E Pambaruar”, i cili është gjithmonë prezent. Tapiceria është realizuar me anë të një teknike tradicionale të qëndisjes kalabreze dhe përfaqëson ndërtesat e papërfunduara që shihen shpesh në Kalabri. Ky element, sipas artistit, është “përpjekja e fundit për rezistencë ndaj një kulture tjetër, asaj të mundshmes”.
“Villaggio Cavaturlli”, një tjetër vepër që bazohet në një kërkim dhjetëvjeçar për guroret e braktisura në qytetin italian të Puglias. Vepra fton në rishikimin e praktikave ekzistuese të nxjerrjes së gurit. Përmes një kolazhi fotografish të shkrepura ndër vite, hapësirat e papërfunduara shihen nga një perspektivë e re, jo si vende për t’u ripërdorur, por si struktura të plota arkitekturore. Ky projekt vazhdon të jetë ende në zhvillim.

“Vegla bën ustain” një video që lidhet me dinamikën e qytetit të Tiranës dhe kulturën e punëtorëve të krahut. Videoja është e ekspozuar në një mur prej blloqesh të instaluar brenda galerisë, në njërën anë shfaqet videoja, ndërsa nga ana tjetrër e murit mbetet i instaluar pezull një matrapik. Në këtë video, artisti vetë nuk është prezent; në vend të tij, një punëtor ftohet të jetë performuesi. Ai gdhend shprehjen popullore “Vegla bën ustain” në një nga muret e Doganës në Tiranën e vitit 2015. Kjo frazë, duke u gdhendur, bëhet simbolike për realitetin e prekshëm të punëtorëve që presin një mundësi për të materializuar punën e tyre.

“Study on Rural Architectures of Puglia, Part 1”, një studim mbi arkitekturën rurale në një zonë të caktuar të Puglias, të cilën artisti e konsideron si më pak të prekur nga moderniteti i kohës sonë. Shumë nga këto zona janë tashmë në proces rinovimi për t’u kthyer në hapësira për akomodimin e turistëve.

Veprat e tjera të ekspozuara përfshijnë: “Ksamil” një murale e Sarandës ku shfaqen ndërtesa, të cilat edhe pasi janë shkatërruar pasi janë ndërtime pa leje, përsëri janë banuar nga disa qytetarë dhe “Concrete Games” një instalacion site-specifik, që në 2015-tën artisti e ka vendosur në rrethrrotullimin e Sheshit Shqiponja ku punëtorët ndërsa presin për një mundësi, kalojnë kohën duke luajtur ndonjë lojë. Në istalimin e kësaj vepre tek Galeria GOCAT artisti i jep një kuptim tjetër kësaj loje, por duke qendruar tek koncepti i kapitalizmit.

Ekspozita “Abito Mari” nuk është vetëm një projekt artistik individual, por edhe një bashkëpunim me artizanë dhe komunitetin vendas. Gjuha e përdorur në veprat e Bellomo-s është pasqyrim i marrëdhënies së njeriut me mjedisin përreth. Pikërisht ky ndërveprim vë në pikëpyetje narrativat zyrtare e masive, duke nxjerrë në dritë dinamikat e jetës së përditshme të grupeve të margjinalizuara.