Tirana Institute of Contemporary Art (T.I.C.A) in Tirana in collaboration with Zeta Gallery organized in the premises of the latter the closing exhibition of the artist-in-residence program for the spring period, which was on display from the 19th until the 29th of April. The exhibition was concluded with a performance from the Kosovo artist, Dardan Zhegrova at the Bazament Art Space on April, 22.

...

Programi i Rezidencave për Artistë 2018 u organizua nga TICA në bashkëpunim me Galerinë Zeta dhe u mbështet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë.

Artistët rezidentë: Zoran Shekerov (Maqedoni), Matilda Odobashi (Shqipëri) dhe Dardan Zhegrova (Kosovë) kryen hulumtimet e tyre artistike gjatë dy muajve të qëndrimit në Shqipëri dhe paraqitën në ekspozitë procesin e tyre kërkimor, si dhe disa përfundime të këtyre hulumtimeve, të cilat lidhen me hapësirën urbane, me përsiatjet që ndodhin brenda botës psikologjike njerëzore, pa lënë jashtë ndjeshmërinë me të cilën përjetohet e gjithë dinamika shoqërore.

Teknikat e përdorura prej artistëve në pasqyrimin e ideve të tyre kalojnë nga fotografia dokumentare, vizatimi, kolazhi e deri te performanca e drejtpërdrejtë.

I përqendruar përgjithësisht në kërkime dokumentare të shtrira në kontekste të caktuara shoqërore e politike, artisti Zoran Shekerov, përmes disa fotografive, paraqiti në ekspozitë gjurmët që lihen pas gjatë përditshmërisë sonë. Artisti ka parapëlqyer që të shmangë anën gjeografike dhe kohore, si edhe shkaktarin e gjurmës, porse është përqendruar në ndikimin që lë kjo gjurmë në mjedis. Vendndodhja e ngjarjes nuk është fort e përcaktuar – ajo thotë se kemi të bëjmë me hapësira urbane dhe vetëm kaq; koha e ngjarjes – thjesht aktuale, pjesë e përditshmërisë sonë. E megjithatë, këto shmangie nuk e vështirësojnë aspak largësinë autor – vëzhgues, përkundrazi…

Vizatimi, instalacioni, piktura dhe fotografia janë rrugët nëpërmjet të cilave artistja Matilda Odobashi hulumton figurën njerëzore. Brenda ekspozitës, ajo e paraqiti individin njerëzor sa përmes skicave-portrete, po aq përmes gurësh të ndryshëm në drejtimin përmasor. Paraqitur si në vijë horizontale, ashtu edhe në atë vertikale, përdorimi i simbolit të gurit për të përfaqësuar qenien njerëzore lidhet sa me tiparin e qëndrueshmërisë, sa me ndërveprimin qenie njerëzore – natyrë.

Artisti Dardan Zhegrova dallon në këtë ekspozitë për faktin se u paraqit me krijime në të cilat ka ndërthurur materiale të ndryshme, si pëlhura dhe qelqi, në të cilat vendos vizatime dixhitale me tematika të ndryshme. Ai synon zëvendësimin e të shprehurit me paraqitje pamore përftuar nga ndërthurje elementesh. Kjo është mënyra se si ai ndërton sipas mënyrës së vet kujtesën e realitetit në të cilin jeton, realitet i cili ndryshon hap pas hapi dhe që vrulli i përditshmërisë shumë shpejt ia lë vendin së nesërmes, duke krijuar njëlloj mjegullnaje për atë që ka ndodhur dje dhe që nëse nuk dokumentohet besnikërisht, rrezikon të zhbëhet, të mbetet një njollë e zbehtë në të pandërgjegjshmen tonë. Kështu, e vërteta bëhet lehtësisht e luhatshme.