Qendra për Hapje dhe Dialog çel ekspozitën e radhës me tillull “Diejt e të gjitha tokave” të artistit italian Enzo Cucchi dhe e kuruar nga Spazio Taverna (Marco Bassan, Ludovico Pratesi dhe Chiara Lorenzetti). Cucchi prezanton për herë të parë në Shqipëri një përmbledhje të qëndrueshme të krijimtarisë së tij. Ekspozita qëndroi e hapur përgjatë datave 5 qershor – 5 korrik 2025.

...

Artisti sjell në dialog dy terrene historike e kulturore: Italinë e viteve ’80 dhe Shqipërinë bashkëkohore, si dhe reflektimin mbi identitetin dhe globalizimin, përmes 43 veprave në gjithë hapësirën e COD.   Ekspozita hapet me katër piktura simbolike nga vitet ’80, një periudhë veçanërisht e rëndësishme për rrugëtimin artistik të Cucchit. Veprat e hershme, nuk janë parë bashkë prej dekadash: “Quadro santo” (1980), “Carro di fuoco” (1981), “Paesaggio barbaro” (1983) dhe “Il miracolo della neve” (1986), piktura që rrëfejnë një botë spirituale të lirë, jashtë standarteve. Këto vepra ftojnë vizitorët të eksplorojnë një univers ku ritualet tradicionale, bukuria e së shenjtës dhe fragmente ëndrrash bashkëjetojnë.

Në dhomën e vogël djathtas, një pjesë e rëndësishme e ekspozitës, i kushtohet marrëdhënies së Cucchi-t me vendlindjen e tij, Marche. Seria e peizazheve shfaq një anë më intime, ku artisti paraqet fshatra dhe vende reale të cilat i zgjedh në bazë të vlerave personale dhe sentimentale, duke treguar lidhjen e thellë të artistit me vendlindjen e tij. Ndërsa pjesa e fundit e ekspozitës përbëhet nga mbi njëzet vizatime të papublikuara më parë, të cilat theksojnë rrjedhën e pandërprerë të kreativitetit të artistit, një rrëfim vizual i vazhdueshëm. 

 

Enzo Cucchi (lindur më 14 nëntor 1949 në Morro d’Alba, Ankona, Itali) është një piktor italian autodidakt dhe figurë qendrore e lëvizjes Transavanguardia (Neo-Ekspresionizmi) në vitet ’80. Pas një fillimi me poezinë, në mesin e viteve ’70 ai u zhvendos në Romë, ku iu përkushtua plotësisht pikturës dhe lidhi miqësi artistike me Sandro Chia, Francesco Clemente, Mimmo Paladino dhe Nicola De Maria. 

Veprat e tij të hershme përshkruajnë mitologji, peizazhe, legjenda dhe tema shpirtërore, dhe bashkëngjitur këtyre janë tregime simbolike e një universi ëndrrimtar. Në vitin 1986, Muzeu Solomon R. Guggenheim në New York organizoi retrospektivën e tij të parë në SHBA, duke pushtuar tërë rundunin e muzeut . Veprat e Cucchit ndodhen në koleksione të njohura si MoMA, Tate, Centre Pompidou dhe Art Institute of Chicago.