“32 gjashtëdhjetë e nëntë” emërtohet ekspozita personale nga Irgin Sena në Bazament Art Space, gjatë datave 14 qershor – 6 korrik 2018, në Tiranë. Në përmbajtje të saj ekspozita ndërthur videon dhe instalacionin, duke “zaptuar” hapësirat e brendshme të Bazamentit.
Gjuha shprehëse e ideve tingëllon tejet e mbyllur, gati e padepërtueshme. Prapëseprapë, shqetësimi shoqëror kryesisht, krahas atij vetvetor (individual) i përshkon punimet duke tërhequr vëmendjen rreth temave të rrugëtimeve të përçartura, adhurimeve të nëpërkëmbura, pasioneve të thërrmuara, përhumbjes pas dështimit dhe përfundimisht: mëdyshjes për të braktisur ose jo jetën.
Kthina e parë e Bazamentit strehon videon e cila të fton në ikjen e rrëmujshme të sdisekujt; në pasqyrimin e ngrehinave-rrënojë lënë pas në gjysmerrësirë të ngjyrëgjakshme; në vështrimin e valixheve braktisur shtigjeve; në vallëzimin e fluturave-vizitore të këtyre valixheve.
Katër elementet e rëndësishme të ekzistencës: ajri, uji, toka dhe zjarri përshkojnë kryq e tërthor videon. Në të njeriu është i pranishëm, sigurisht, por me mospraninë e tij, thjesht tërthorazi, falë gjurmës së shkatërrimit, braktisjes dhe rrënimit të plotë që pason prej saj.
“Yjësia” (përbërë prej 32 yjesh) që përshkon një hapësirë të caktuar bulevardi – tashmë jo kushtuar yjeve kinematografike, por emrave të thjeshtë, jo identifikuar plotësisht – është brendia e videos “Untitled”. Një yll që pa u shuar mirë ia lë vendin një tjetri, si një zinxhir i pashkëputshëm, plan pas plani, ku teksa të rrëmben një emër, ke lënë pas një tjetër. Në veprën e Irginit yjësia nuk është në qiell, nuk është e paprekshme, për më tej… nuk është e pashkelshme. Rreth e rrotull saj vërtiten bishta cigaresh! Ndoshta, qenia njerëzore është kthyer në groteske, duke synuar njëjtësimin me yjet.
Flamuj alumini (me pamje të caktuara përngjitur) rrethojnë hapësirën kryesore të Bazamentit, në qendër të të cilit qëndron pezull një tjetër tërësi pamjesh. Temat pasqyruar në to ndërveprojnë me njëra-tjetrën: periferia dhe qendra trajtojnë pak a shumë të njëjtën gjë, me ndryshimin e vetëm që përgjakja e pasionit të thërrmuar ndihet fort; endacaku ka formë njerëzore dhe diku tjetër litari i një të varuri qëndron pezull në objektin e pezullt.
Në kënde gati-gati të pavëna re, diku në hyrje, pasqyrohet (përmes instalacionit përkatës) dëshira për t’iu larguar pengesave që të tjerët na vënë, që ne u vëmë vetes; diku në krye, pasqyrohet ironikisht, shpengueshëm ideja e ikjes së fundme, udhëtimit pa kthim përtej jetës tokësore.
Gjithçka mjegullohet në veprën “29 dyzet” (“29 forty” në origjinal). Teknologjia, elektronika dhe udhëtimi përmes tyre në sfonde të ylberta. I qartë vetëm rrugëtimi, më saktë përpjekja e tij, por jo synimi (vendmbërritja).
Ekspozita, një lloj kriptograme, endur pamjesh dhe emërtuar numrash, fton vënien në veprim të logjikës së ftohtë.
* Irgin Sena ka lindur në Shqipëri dhe jeton e punon në New York. Ai ka një MFA nga Hunter College. Në vitet 2008, 2012 dhe 2013 ishte artist në rezidencë në International Studio dhe Programi Curatorial (ISCP) (New York).
Në vitin 2012 ai u nderua me çmimin “MARIAN NETTER”, kurse në vitin 2007 me çmimin “ARDHJE”. Ndër hapësirat artistike në të cilat Irgin Sena ka ekspozuar, përmenden: Prospectif Cinéma; Qendra Georges Pompidou (Paris, France); Multiplicity (New York); EFA Project Space (New York); Bienalja Ndërkombëtare për Artin e Ri (Москва); Bienalja e Tiranës, edicioni III; Invisible Exports Gallery (New York); Fresh Window Gallery (Brooklin, New York); Mixed Greens Gallery (New York); Galeria Kombëtare e Arteve (Tiranë); House am Lutzowplatz (Berlin) dhe Badischer-Kunstverein (Karlsruhe, Deutschland).