“Silver Lining” mban titullin ekspozita e çelur së fundmi në Bazament Art Space, ku bën bashkë artistë që punojnë kryesisht në mediumin e filmit dhe videos. Veprat e artistëve: Anna Ehrenstein, Driant Zeneli, Irgin Sena, Silva Agostini, Genti Korini, Lek. M. Gjeloshi janë të ekspozuara në të gjithë hapësirën e galerisë të ndara sipas tre kapitujve. Synimi i artistëve është një shteg i përbashkët drejt një reflektimit mbi qasjen kulturore dhe socio-politike të vendit. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun përgjatë datave 30 mars deri më 15 maj, 2023, Tiranë.

...

Kapitulli i parë:

Anna Ehrenstein “Shtetikomb si Ndikues Instagrami”/19.54’.2022. “Liria”/4.58’. 2022

Në hapësirën e parë në Bazament shfaqet në një video-projeksion vetë artistja Ehrenstein me gjyshërit e saj teksa përsërisin duke lexuar fraza pohimesh të “vlerave të supozuara të BE-së”, informacione që paraprakisht shpërndaheshin nëpërmjet agjencive dhe iniciativave të BE-së, duke përfshirë të rinjtë që të shprehin aspirim për to në rrjetin social Instagram. Ndërsa në seksionin e dytë paraqitet një sinkronizim i buzëve nga artisti Lux Venera i propagandës anti-LGBTQI+ dhe anti-PT-izmit të Jair Bolsonaro, këto të përhapura përmes mesazheve të rrjetit WhatsApp.

Kapitulli i dytë:

Kapitulli i dytë vijon më videot dhe filmat e artistëve: Driant Zeneli, Irgin Sena dhe Silva Agostini.

Driant Zeneli “Xixëllonja vazhdon të bjerë, ndërsa gjarpri vazhdon të rritet”/11.46’. 2022.

Filmi fillon me pamjet e një prej ndërtesave më emblemantike brutaliste të Ballkanit, siç është Posta Qendrore e Shkupit. Ajo u ndërtua në vitin 1974 dhe struktura e saj u dëmtua nga një shpërthim zjarri, tashmë mbrohet nga UNESCO si një nga shtatë ndërtesat më të rrezikuara në botë. Ky film është frymëzuar nga një fabul e lashtë. Pjesë e procesit të tij janë bërë dhe studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Universiteti Sh. Kirili dhe Metodi në Shkup, Maqedonia e Veriut.

Irgin Sena “Këmisha e Verdhë mbi një Batanije Kadife Ngjyrë Kafe”/07.59’.2015.

Videoja shfaq pamje të një natyre dhe detaje objektesh që duket se kanë mbetur në mes të zbrazëtisë pas një ngjarjeje të dështuar. Gjurmët e një ekzistence të mëparshme ndjekin një rend në punën e Senës, ashtu siç veprohet dhe në muzikë me krijimin e një partiture. “Këmisha e Verdhë mbi një Batanije Kadife Ngjyrë Kafe” sipas artistit, lidhet me mënyrën se çfarë zgjedhim të shohim kundrejt asaj që kemi para syve.

Silva Agostini “E Kuqe Reciproke”/03.45’.2013.

“E kuqe reciproke” fillimisht shfaq një person me kokë përmbys, e ndërsa kuadri fillon të zgjerohet, vërejmë një tjetër kokë të pasqyruar nën të. Dy personazhe po ushtrojnë presion fizik ndaj njëri-tjetrit duke përjetuar një akt balancues kokë mbi kokë. Performanca shfaq imazhe të një tensioni brenda kufijve të rezistencës fizike që përcjell një ndjesi jo të këndshme tek shikuesi. 

Kapitulli i tretë:

 Genti Korini  “Libri i Babait”/01.23’.2023.

Në videon “Libri i Babait” paraqitet një libër Rus anatomie, të cilin Korini e ka shkëputur prej bibliotekës së të atit, i cili ka qenë mjek me profesion. Në qendër të secilës prej faqeve kalon një e çarë tejpërtej duke ndërhyrë në imazhin e trupave anatomikë të ndodhur në të, për të vënë kështu në pikëpyetje sipas artistit idenë moderne mbi njohurinë shkencore.

Lek. M. Gjeloshi, “Melankolia”/0.43’.2019

“Melankolia” shfaq si animacion gjashtë skenare me personazhe të vizatuar gjatë natës, teksa përpiqen të ecin në një hapësirë të bardhë e të zbrazët, duke vijuar me lëvizje të njëjtë që mban të kuriozuar për 0.43’ shikuesin. Kanali i tretë i saj lidhet me nusen e “Melankolisë” e cila ishte një planet. Nusja ishte Justine dhe Justine ishte Kirsten Dunst.

Këto imazhe vijnë bazuar në “Everlast”, nga kujtesa e afërt dhe e largët e cila përfaqësohet në një ngjyrë të vetme duke eksploruar ndërmjet referencave rrethanore dhe kinematografike për të krijuar në përfundim të saj një histori (referencë nga teksti kuratorial).

Fotot: kortezi e Bazament Art Space