Galeri Zeta sjell në ambientet e saj projektin vetjak të artistes Blerina Muça. Në galeri ekspozohen një seri e përzgjedhur prej tre ciklesh që artistja ka realizuar ndër vite, me tituj: Playground, Roi Somewhere Home dhe Isolation. Diçka nuk shkon është kuruar nga Marko Stamenkoviç dhe do të mbahet e hapur për vizitorët nga data 19 dhjetor 2022 – 30 janar 2023, Tiranë.

...

Në ekspozitën e saj të parë vetjake, Muça vjen me gjashtëmbëdhjetë krijime të realizuara midis viteve 2015 – 2022, të cilat i përkasin kryesisht mediumit të pikturës, të realizuara në pëlhurë, telajo, dru dhe qeramikë. Në pjesën më të madhe të krijimtarisë së Muçës vërehet se në qendër të tablove është figura njerëzore. Përmes imazhit, në këtë rast pikturës, Muça përqendrohet tek një qasje që ka të bëjë me situata që trajtojnë veprime “të çuditshme”, të veçuara si jo të zakonta, e që në vështrim të parë mund të duken të pakuptimta, megjithëse në thelb tejkalojnë të dukshmen.

Diçka nuk shkon, paraqet situata të shkëputura nga përditshmëria e anëtarëve të familjes së Muçës, të cilët në këtë ekspozitë shfaqen herë në grup dhe herë individualisht. Sfondi përreth tyre mbetet kudo i njëtrajtshëm dhe në secilin prej krijimeve vëmendjen e rrëmben gjendja dhe habitati në të cilin ata ndodhen. Edhe pse vizualisht të pranishëm, paraqiten si të paidentifikueshëm, me një qëndrim hera-herës kundërportret. Këto situata disi të dykuptimta ngjallin një lloj interesi vizual/estetik tek Muça, por njëkohësisht dhe një shqetësim që e bën atë të thellohet më në brendësi të situatave me të cilat ajo përballet.

Këto situata Muça i sjell si fragmente që bien ndesh me rregullat strikte të përcaktuara të sjelljes apo normave të saj. I normalizon dhe i përgjithëson ato në kundërshti nga një tjetër “jetë paralele” që ka të bëjë me botën e mediave sociale digjitale. Bota në të cilën “të vepruarit ndryshe” ngrihet si një shembull social i globalizuar, ku sa më të përafërta të jenë sjelljet ndaj modeleve të përcaktuara, aq më tepër ke potencial të bëhesh pjesë e këtyre normave të modernizuara/bashkëkohore.

*Blerina Muça është një artiste pamore e lindur në vitin 1985 në Fier, Shqipëri. Ajo ka studiuar për pikturë në Akademinë e Arteve në Tiranë, ku është diplomuar në vitin 2008. Jeton dhe punon në Tiranë si pedagoge arti në Shkollën Franko-Shqiptare “Victor Hugo”. Përpara shfaqjes së saj solo në Qendrën e Artit Bashkëkohor ZETA (2022), ajo ka marrë pjesë në ekspozita grupore si: “Çmimi ARDHJE për Artistin e Ri Vizual të Shqipërisë”, Qendra e Artit Bashkëkohor ZETA, Tiranë (2018); “Çmimi Idromeno 2017”, Galeria e Arteve, Shkodër (2017); “… në një ditë si çdo tjetër”, Qendra e Artit Bashkëkohor ZETA, Tiranë (2015); dhe “Piktura e jetës moderne: Çmimi XVIII Onufri”, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë (2011).