“Endem rrugës për diku” titullohet ekspozita e hapur së fundmi tek Bazament Art Space, e artistit me origjinë italo-shqiptare Kairo Urovi. Ekspozita do jetë e hapur për publikun nga data 24 Prill deri më 30 Maj 2025.

Kjo seri e re punimesh, është krijuar enkas për këtë ekspozitë tek Bazament. Veprat kanë në fokus një shtëpi në rrugën “Ludovic Saraçi” në Shkodër. Shtëpia në këtë ekpozitë shihet në kontekstin e një trupi (vendi fizik) që shndërrohet nga kujtimet dhe përjetimet që një person ka në të.
Ekspozita përfshin mediume të artit bashkëkohor si video, instalacion dhe fotografi. Nëpërmjet tyre eksploron shtresat e kujtesës dhe emocioneve të lidhura me këtë shtëpi specifike që ndodhet në qendër të frymëzimit të artistit. Edhe pse kjo shtëpi ekziston fizikisht, nëpërmjet veprave ajo transformohet, e ngjyrosur nga nostalgjia dhe historitë personale, që i zbehin kufijtë mes realitetit dhe kujtimit.
Disa prej fotografive janë të ekspozuar brenda paneleve prej xhami dhe te integruara brenda disa strukturash prej guri, duke iu dhënë një prani pothuajse arkitektonike. Disa të tjera janë të printuara si fotografi të thjeshta apo si postera. Ky kombinim i formateve të prezantimit sugjeron një dialog mes dokumentimit dhe ndjeshmërisë personale. Veprat më të mëdha ‘imponohen’ fizikisht në hapësirë, ndërsa ato më të vogla të ftojnë për një vëzhgim më në detaje.
Kairo Urovi është një artist me banim në Londër, i lindur në vitin 2000, në Fano, Itali. Artisti eksploron në veprat e tij konceptet e identitetit, përkatësisë dhe diasporës familjare. Qasja e tij artistike është e përqendruar te komuniteti queer. Veprat fotografike të Kairo Urovit trajtojnë maskulinitetin trans dhe identitetin queer. Ai ka përfunduar studimet në fotografi në University of the Arts London. Punimet e tij janë ekspozuar në disa galeri arti në Londër, përfshirë Autograph ABP, RichMix dhe Free Range. Si një person transgjinor, Kairo është i interesuar në krijimin e arkivave të reja queer dhe në ndërtimin e një rrjeti artistësh vizualë që sfidojnë narrativat shpesh të dëmshme që përhapen nga mediat.