Festivali i filmit DokuFest në bashkëpunim me Platformën e Artit Bashkëkohor Harabel, zhvilluan këtë vit dy net premierë të filmit në ambientet e Tirana Open Air me datë 26 korrik dhe me 27 korrik në Amfiteatrin e Durrësit. Për publikun e Tiranës dhe të Durrësit u prezantuan pesë prej filmave të përzgjedhur nga programi i këtij viti me tematikën How to Survive (Si të mbijetosh).

...

Në projektim u shfaqën filma të kategorisë së metrazhit të shkurtër ku autorët përkatës vinin nga kombësi të ndryshme. Filmat mbajnë titujt: Von, Hana Ahmeti (Kosovë, 2022); Romancë Burgu, Denisa Mici (Kosovë, 2022); Arti i të Shëruarit, Morea Pula dhe Lyra Ymeraga (Kosovë, 2022); Haulout, Eugenia Arbugaeva dhe Maxim Arbugaeu (Rusi, 2022); The Game, Roman Hodel (Zvicër, 2020).

Von, shfaq plane urbanistike teksa një zë vajze bëhet rrëfimtar duke treguar se si kapërcimet e vogla në jetë mund të ndihmojnë dikë të njohë dhe të pranojë vetveten.

Romancë Burgu, rrëfen historinë e dashurisë së një adoleshenti gjatë luftës së Kosovës në vitet 1999-2000. Në këtë film shfaqen letra të shkruara me dorë dhe një audio ku një djalë dhe vajzë lexojnë letrat përkatëse të inskenuara në formën e një dialogu.

Arti i të Shëruarit, konsiston në dokumentimin e historisë së Fatos Pulës, ku ai tregon për dy pasionet e tij, siç ishte arti dhe mjeksia dhe se si arti i shërbeu atij për të krijuar disa pajisje fizioterapeutike.

Haulout, shfaq pamjet e një bregdeti të largët të Arktikut Rus dhe një burri të vetmuar të gjendur në një kasolle duke pritur për të parë një mbledhje të lashtë, por ngrohja e kohës sjell një ndryshim të papritur dhe ai përballet më një masivitet të fokave në bregdet.

The Game, shfaq prapaskenat e një loje futbolli, në situatat kur lojtarët protestojnë në fushë, komentatorët ndjekin aksionet dhe në mes tyre ndodhet gjyqtari, të cilin e vëzhgon një publik i tërë. Gjyqtari Fedayi San, bën të përfshihesh në baticat dhe zbaticat e lojës e një loje futbolli.

DokuFest-i solli në edicionin e 21-të një atmosferë ftuese për publikun në dy netët kushtuar kinemasë, duke i dhënë vëmendje të veçantë përzgjedhjes së filmave të shfaqur në Tiranë dhe Durrës. Më pas DokuFest do të zhvillojë në datat 5-13 gusht 2022, festivalin e përvitshëm në qytetin historik të Prizrenit. Në të do të prezantohet një program i larmishëm dokumentarësh dhe filmash me metrazh të shkurtër dhe eksperimental, të sjellë nga një numër i madh pjesëmarrësish, duke përfshirë autorë vendas dhe nga vende të ndryshme të botës.