Më 31 maj,  platforma Harabel zhvilloi  një bashkëbisedim me artistin Adrian Paci dhe kuratorin Dr. Kobi Ben-Meir, i cili prezantoi projektin Broken Words dhe ekspozitën Adrian Paci: Still Voices. Bashkëbisedimi u zhvillua te hapësira e Harabel.

...

Ekspozita, e paraqitur në Muzeun e Artit në Haifa, është një studim i gjerë i veprave të mediumit të videos nga artisti shqiptar me famë botërore Adrian Paci, duke filluar me punën e tij më të hershme të vitit 1997 dhe duke përfunduar me dy premiera botërore të veprave të tij të fundit të vitit 2021.

Ben-Meir prezantoi vepra të Paci-t duke eksploruar përparësinë e gjuhës së trupit mbi gjuhën verbale në veprën e artistit, duke u fokusuar ndërkohë në veprën e tij të vitit 2018, “Fjalë të thyera”. Nëpërmjet kërkimit të ndjeshëm estetik të mediumit të videos, Paci mbush boshllëqet tekstuale me imazhe dhe tinguj që artikulojnë atë që fjalët nuk arrijnë të komunikojnë.

Ky projekt u mbështet nga Këshilli Italian (edicioni i 10-të, 2021), një program për promovimin e artit bashkëkohor italian në botë nga Drejtoria e Përgjithshme për Krijimtarinë Bashkëkohore të Ministrisë së Kulturës Italiane.

Rreth të ftuarve:

Dr. Kobi Ben-Meir është Kryekuratori i Muzeut të Artit në Haifa, një nga institucionet më të mëdha kulturore në Izrael. Përpara se t’i bashkohej Muzeut të Artit të Haifës në vitin 2021, Ben-Meir punoi për 17 vjet në Muzeun e Izraelit, Jerusalem, në pozicione të ndryshme kuratoriale dhe edukative. Ben-Meir është një studiues i artit bashkëkohor dhe ka mbrojtur doktoraturën në Universitetin Hebraik të Jerusalemit. Midis 2017 dhe 2019 ai shërbeu si studiues në Departamentin e Historisë së Artit, në  Universitetin e Lirë të Berlinit.

Adrian Paci (lindur më 1969 në Shkodër, Shqipëri) ka studiuar për pikturë në Akademinë e Arteve të Tiranës. Në vitin 1997 u transferua në Milano ku jeton dhe punon.

Gjatë karrierës së tij ai ka realizuar ekspozita të ndryshme vetjake në institucione ndërkombëtare si: Kunsthalle Krems (2019); Museo Novecento, Florence (2017) MAC, Musée d’Art Contemporain de Montréal (2014); Padiglione d’Arte Contemporanea – PAC, Milano (2014); Jeu de Paume, Paris (2013); Kunsthaus Zurich, Cyrih (2010); Hapësira Bloomberg, Londër (2010); Qendra për Art Bashkëkohor – CCA, Tel Aviv (2009); Museum am Ostwall, Dortmund (2007); MoMA PS1, New York (2006) dhe Muzeu i Artit Bashkëkohor, Hjuston (2005). Ndër ekspozitat e ndryshme në grup, veprat e Adrian Paci-t janë paraqitur gjithashtu në Ekspozitën e 14-të Ndërkombëtare të Arkitekturës – La Biennale di Venezia (2014); në edicionin e 48-të dhe të 51-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit – La Biennale di Venezia (përkatësisht në 1999 dhe 2005); në Bienalen e 15-të të Sidneit (2006); në edicionin e 15-të të Quadriennale di Roma, ku ai fitoi çmimin e parë (2008); në Bienalen e Lionit (2009); dhe në Bienalen e 4 të Artit Bashkëkohor të Selanikut (2013). Adrian Paci jep leksione për pikturë dhe arte pamore në Nuova Accademia di Belle Arti NABA, Milano. Ai ka dhënë orë mësimore arti në Accademia Carrara di Belle Ari Bergamo, 2002-2006, IUAV, Venecia 2003-2015 dhe ka mbajtur leksione dhe seminare në shumë Universitete, Akademi Arti dhe Institucione në vende të ndryshme.